Dhjetëra shkolla në Angli dhe Uells kanë vendosur të mbyllen ose të reduktojnë orarin mësimor, pasi një valë e të nxehtit pritet të godasë Britaninë në ditët në vijim.
Mes institucioneve që kanë njoftuar mbylljen është Shkolla Buckingham në Buckinghamshire, e cila do të zhvillojë mësimin online për dy ditë, si dhe St John’s Marlborough në Wiltshire, që do të qëndrojë e mbyllur deri të premten.
Edhe Akademia Dorcan në Swindon ka njoftuar se mësimi do të përfundojë më herët, ndërsa shkolla do të mbetet e mbyllur për dy ditë.
Masa të ngjashme janë marrë edhe në disa shkolla të tjera në Wiltshire, Slough, Reading, Surrey dhe Londër, me qëllim shmangien e rreziqeve që temperaturat e larta mund të paraqesin për nxënësit dhe stafin.
Shoqata Kombëtare e Drejtorëve të Shkollave (NAHT) ka shpërndarë udhëzime për menaxhimin e situatës, duke theksuar se, ndonëse nuk ekziston një kufi maksimal ligjor për temperaturat në shkolla, drejtuesit duhet të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Sekretari i përgjithshëm i NAHT-së, Paul Whiteman, ka deklaruar se drejtuesit e shkollave po bëjnë gjithçka të mundshme për të zbutur ndikimin e temperaturave ekstreme, të cilat pritet të arrijnë nivele të pazakonta për Britaninë.
