Të mërkurën në mbrëmje, në fshatin Sibofc të Podujevës pati të shtëna me armë në drejtim të një veture që ishte në lëvizje dhe drejtohej nga një 36-vjeçar, i cili shpëtoi për pak, kur i dyshuari shkrepi armën e zjarrit disa herë. Rasti është cilësuar si tentim vrasje, teksa i dyshuari akoma s’është kapur.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që tashmë po kërkohet nga Policia është Endrit Zhegrova, i cili për motive akoma të panjohura, ka gjuajtur pesë herë në drejtim të viktimës.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet përkatëse kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur pesë predha dhe janë marrë informacionet e para të rastit.
Sinjali mëson se viktima ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ku ka rrëfyer në detaje se si i dyshuari ia zuri pritën dhe e gjuajti me armë teksa po lëvizte me veturën e tij, rreth orës 20:00.
Në anën tjetër, është kryer edhe bastisje në pronën e të dyshuarit, por i njëjti nuk është hasur, pasi ka ikur menjëherë pasi dyshohet se kreu veprën.
Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës.
“Fsh. Sibofc, Podujevë 12.07.2023 – 19:34. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën në drejtim të tij kishte gjuajtur me armë zjarri i dyshuari mashkull kosovar. Vetura e viktimës ishte qëlluar me pesë predha në pjesën e pasme- bagazh. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjete asgjë e dyshuar. I dyshuari nuk është hasur nga policia dhe gjendet në arrati”.