Rrustem Aliaj ka njoftuar dorëheqjen e tij nga pozita e Presidentit të Klubit të Futbollit FC Suhareka, raporton Enigma.
Në një letër drejtuar Kryesisë, stafit, lojtarëve dhe tifozëve të klubit, Aliaj theksoi se ky vendim erdhi pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe me qëllimin për të hapur rrugë për energjitë e reja që mund të çojnë klubin në nivele më të larta.
Aliaj falënderoi të gjithë ata që kontribuan në sukseset e klubit gjatë mandatit të tij, duke përmendur përkushtimin e lojtarëve, profesionalizmin e stafit dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve. Ai gjithashtu nënvizoi se FC Suhareka ka arritur të sigurojë një pozicion të qëndrueshëm në Superligën e Kosovës, duke u renditur në vendin e pestë dhe duke synuar garat evropiane në sezonin pranveror. Po ashtu, klubi është kualifikuar në fazën 1/16 të Kupës së Kosovës.
Pavarësisht largimit të tij, Aliaj siguroi mbështetje të pakushtëzuar për klubin dhe besimin se FC Suhareka ka potencialin të arrijë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.