Kur droni kaloi mbi bujtinën e manastirit në Banjskë, kapi edhe figurën e një personi të shumëkërkuar.
Në mes të grupit terrorist që kryen agresionin e 24 shtatorit, qëndronte Milan Radoiçiq.
Imazhi i ish-udhëheqësit të sulmit më të madh ndaj sigurisë së republikës, tash do të shfaqet në secilin shtet anëtar të INTERPOL-it.
Organizata ndërkombëtare policore e shpalli në kërkim Radoiçiqin, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës e ndërmjetësim të UNMIK-ut, si edhe dhjetëra serbë tjerë për terrorizmin në Banjskë, cenim i rendit dhe i sigurisë e rrezikim i personelit me mbrojtje ndërkombëtare.
Përveç Milan Radojçiqit, për Banjskën kërkohet edhe Vladimir Radivojeviq. I njohur si “Mami”, kërkohet si organizator i sulmit. Radivojeviq për vite ka marrë pagë si vozitës i Zoran Milojeviqit nga rrjeti i telefonisë MTS, dhe njërën prej veturave të kompanisë ia ka dhënë donacion organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, me të cilën janë shpërndarë armë nëpër veri.
Për sulmin në Banjskë është lëshuar fletëarrest edhe për ish-shefin e Njësisë Speciale në stacionin në veri, Uglesha Jarediq.
Në listë nuk mungon as Milorad Jevtiq, dokumentet dhe veturat e të cilit ishin gjetur në vendin e sulmit tek manastiri. Ai është cilësuar një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb, dhe i janë nxjerr të dhënat kufitare si nga 5 vizitat e fundit të Danilos në Kosovë, në 4 prej tyre ishte në veturë të njëjtë me Jevtiqin.
Me ndihmën e UNMIK-ut, kërkohet të përgjigjet para organeve të sigurisë në Kosovë edhe Trajko Vasiq, për organizimin e disa sulmeve me shokbomba.
Në listën e njohur si “njoftim i kuq” nga INTERPOL, Klan Kosova mëson se nuk janë përfshirë edhe emra tjerë të përfshirë, as ata që dihet se u plagosën me siguri gjatë të shtënave me Policinë e Kosovës.
Serbia nuk ka ende përgjigje zyrtare nëse do t’i ekstradojë të dyshuarit në Kosovë, por presidenti Aleksandar Vuçiq e kishte quajtur tallje idenë.