“Tetë fshatra të komunës së Istogut janë të prekura nga vërshimet”

“Tetë fshatra të komunës së Istogut janë të prekura nga vërshimet”

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati e konsideron të rëndë gjendjen në komunën e Istogut si pasojë e vërshimeve. Ai thotë se situata është e ngarkuar me sasi të ujit më shumë se herën e kaluar kur kjo komunë u përball me vërshime.

Megjithatë, Ferati thotë se vërshimet nuk janë përhapur në gjithë territorin e komunës së Istogut dhe se banorët nuk janë në rrezik, përveç dëmeve të mëdha.

“Po përsëritet për herën e dytë pothuajse brenda 1 muaji, gjendja është e keqe dhe mund të them se është më e ngarkuar me sasi të ujit se herën e kaluar, mirëpo fatmirësia është që nuk është e hapur në gjithë territorin e komunës qysh ka qenë herën e kaluar”, ka thënë ai.

Në këtë komunë janë tetë fshatra, të cilat po përballën me vërshime derisa fshati Drejë regjistron 12 familje që vazhdojnë të jenë të bllokuara deri në arritjen e ekipeve të FSK-së për evakuim dhe të gjithë banorët e bllokuar do të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Sasitë e ujit janë të mëdha dhe levizja e ujit është me shpejtësi të madhe por fatmirësisht është jashta për me rreziku jetën e qytetarëve. Nuk po ndodh për herë të parë por po ndodh për herë të parë me ketë sasi. Do të shkojmë deri të shtëpia e fundit që të ju tregojmë që shteti, komuna është afër tyre në këtë ditë të vështirë”, ka thënë ai, për Kosovapress.

Ferati thotë se familjet e prekura nga vërshimet do të përkrahen për sanimin e dëmeve.

“Fillimisht ofrimi i gjërave bazike, rroba, batanije, dhe ushqim, ofrimi i strehës zakonisht përdoren familjarët qe i kanë më të afërt, pastaj ekipet tona dalin të bëjnë vlerësimin e situatës dhe dëmeve dhe u drejtohemi Agjensionit të Emergjencave në Ministrinë e Brendshme , qe sadopak të ua lehtësojmë dënim që u ka ndodh”, thotë kryetari i Istogut.

Related Articles