Si edhe çdo vit tjetër, serbët u mblodhën edhe të hënën e 28 qershorit në afërsi të Obiliqit për të marr pjesë në festimet e Vidovdanit, e që ndërlidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.
As kësaj here, nuk munguan provokimet nga ana e tyre me anë të simboleve dhe formave të tjera teksa në pranga kanë përfunduar tetë persona.
Një shtetas i Malit të Zi dhe shtatë të Serbisë janë shoqëruar në stacionet përkatëse policore, teksa në ndalim policor është vetëm shtetasi i Malit të Zi, për 48 orë.
Sipas detajeve nga raporti i Policisë së Kosovës, patrullat policore në dy raste gjatë kontrollit të veturave kanë gjetur armë të ftohta dhe maica me mbishkrime serbe.
Gazimestan, Prishtinë 28.06.2021 ─ 15:00. Në hapësirën e monumentit në Gazimestan, një person i dyshuar mashkull shtetas i Malit të Zi ka bërë thirrje nacionaliste dhe nxitje të urrejtjes. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari i lartcekur dhe është dërguar në stacion të policor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.
Veternik, Prishtinë 28.06.2021 ─ 12:00. Gjatë kontrollit të veturave të ndaluara të cilat kanë qenë me tabela të Serbisë dhe personave në të cilat kanë qenë dhe qëllim kishin për të shkuar në Gazimestan janë gjetur dhe konfiskuar armë të ftohta (mprehta) thika dhe boksa te hekurit. Me urdhër të prokurorit kujdestar janë intervistuar gjashtë te dyshuar meshkuj serb shtetas të Serbisë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste te veçanta për secilin të cilat kalojnë në procedurë të rregullt.
Magjistralja Mitrovicë-Prishtinë 28.06.2021 ─ 13:10. Është ndaluar vetura me targa të huaja të cilën e drejtonte e dyshuara femër serbe shtetase e Serbisë dhe gjatë kontrollit në çantën e saj është gjetur dhe konfiskuar një sprej si dhe disa maica me mbishkrime serbe. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar e dyshuara lirohet në procedurë të rregullt.