Tifozët e futbollit mendojnë se kanë gjetur shpjegimin përse kuzhinieri turk Nusret Gokce i njohur si ‘Salt Bae’ u lejua të hynte në fushë pas finales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës.
Pati konfuzion dhe zemërim të madh mes mbështetësve kur kuzhinieri i famshëm turk u pa duke bërë foto me trofeun e Kupës së Botës dhe një mori yjesh të Argjentinës.
Teksa kalonte kohë me familjen e tij pas triumfit, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, u pa duke u ‘shqetësuar’ nga Salt Bae në dy raste, pasi ai bëri dy përpjekje për të tërhequr vëmendjen e tij, përpara se të pranonte pa dëshirë të bënte një foto me të.
Lisandro Martinez dukej po aq i sikletshëm kur Salt Bae pozoi me të, ashtu sikurse edhe Angel di Maria.
‘Salt Bae’ postoi një seri fotosh me trofeun e Kupës së Botës i larë me ari 18 karatësh, i cili thuhet se vlen 17.7 milionë funte.
Megjithatë, pati zhurmë të madhe duke pasur parasysh rregullat që thonë se trofeu mund të preket vetëm nga një “grup i zgjedhur njerëzish”, përkatësisht ish-fituesit e Kupës së Botës të FIFA-s dhe krerët e shteteve.
Gazetari i The Times, Martyn Ziegler vuri në dyshim qasjen e ‘Salt Bae’, duke kërkuar shpjegim.
“Do të doja të dëgjoja shpjegimin e FIFA-s se pse ky kuzhinier i famshëm hyn në fushë në një finale të Kupës së Botës për selfie me Messin etj”, shkroi Ziegler.
Duket sikur tifozët e kanë kuptuar se pse ‘Salt Bae’ iu dha liria në Lusail Stadium. Rezulton se kuzhinieri turk është një mik i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka qenë në restorantin e tij disa herë më parë.
Në janar të 2021, Salt Bae postoi një video të Infantinos duke shijuar ushqimin në Dubai dhe zviceranin që shihej i lumtur nën praninë e ‘kasapit’ turk.
Fansat e kanë gjetur videon dhe mendojnë se lidhja mes të dyve është arsyeja pse ‘Salt Bae’ iu lejua trajtim i veçantë.
Megjithatë, dyshja duket se kanë një raport të ngushtë shoqëror, pasi ‘Salt Bae’ edhe së fundmi ka postuar tri video tjera me Infaninon dhe njerëz tjerë të njohur gjatë qëndrimit në Katar.
“Tani ne e dimë se si ai doli në fushë dhe preku trofeun”, “Prandaj ky ishte në fushë me lojtarët?” dhe “Gjithçka e gabuar me FIFA-n e ngjeshur në një klip të shkurtër”, ishin disa nga komentet e tifozëve në rrjetet sociale.
‘Salt Bae’ është përjashtuar nga turneu më i vjetër i futbollit në Amerikë në përgjigje të paraqitjes së tij në Kupën e Botës.
Megjithatë, 39-vjeçari i është kundërpërgjigjur kritikëve duke shpërndarë pamjet e Messit në restorantin e tij në vitin 2018.