Tiranë, hapet ekspozita për 40-vjetorin e demonstratave të studentëve në Kosovë

Tiranë, hapet ekspozita për 40-vjetorin e demonstratave të studentëve në Kosovë

Ekspozita me dokumente dhe fotografi organizohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Në Tiranë është hapur ekspozita me dokumente dhe fotografi me titull “Vullkani i Republikës” për 40-vjetorin e demonstratave të studentëve në Kosovë.

Ekspozita organizohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, ndërkohë në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve nga të dy vendet, studiues dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, në aktivitetin e hapjes së ekspozitës tha se pas disa qyteteve në Republikën e Kosovës ekspozita hapet edhe në Tiranë.

Bido theksoi se kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme, sipas tij, si një mundësi që të gjithë shqiptarët të kenë një qasje ndaj dokumenteve, gazetave të kohës, fotografive të kohës për protestat studentore të vitit 1981 në Prishtinë.

Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, tha se kanë dokumente të shumta për atë kohë dhe shtoi se kanë bërë përzgjedhjen e disa prej tyre.

“Kjo është një ekspozitë që i kushtohet shënimit të 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1981. Është një ekspozitë që është përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës”, theksoi Zyberaj, duke shtuar se protestat e vitit 1981 morën thellësisht karakter kombëtar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 20 maj në ambientet e “Pazarit të Ri” në Tiranë.

Më 11 marsin e vitit 1981 studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës organizuan një demonstratë masive, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat spontane të studentëve.

Shqiptarët nga krahina të ndryshme në ish-Jugosllavi i dhanë mbështetje demonstratave të nisura nga studentët, të cilat vazhduan edhe më 26 mars si dhe në fillim të prillit 1981, raporton Anadolu Agency

Related Articles