Sot në mbledhjen e KQZ-së ka ndodhur një përplasje verbale, raporton Gazeta Enigma.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, është fjalosur me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin.
Gashi pohonte se ai dhe anëtari tjetër i PDK-së, Arianit Elshani, kanë deklaruar se nuk marrin pjesë në votim.
“Ju keni nxjerrë një vendim me të cilin i jeni përgjigj PZAP-së se KQZ nuk e ka miratu rekomandimin e ardhur nga Sekretariati gjë e cila nuk është e vërtetë. KQZ atë ditë nuk ka nxjerrë vendim”, tha Gashi.
Tutje ai theksoi se “I keni videot, në mbledhje kanë qenë 7 anëtarë, 4 kanë votu pro dhe 3 s’kanë marrë pjesë fare në votim”, shtoi ai.
Mirëpo, Radoniqi tha se ka lëshuar një vendim ku ka konstatuar që 4 vota kanë qenë pro dhe 3 abstenime.
“Arsyeja ka qenë sepse Ligji për procedurën e përgjithshme përmbarimore i njeh tri mundësi, pro, kundër apo abstenim, nuk parasheh diku që anëtari me qenë prezent dhe me thënë që nuk merr pjesë në votim. Nëse nuk doni me marrë pjesë në votim, mundeni me dal jashtë dhe me prish kuorumin”, tha Radoniqi.
Këtë praktikë ai tha se do ta zbatojë gjithmonë.
Por me këtë s’u pajtua Gashi i cili tha se “do të ankohet për këtë”.
“Nëse kjo përsëritet atëherë duhet të përballemi me ankimime të vendimmarrjes në këtë institucion se nëse unë nuk e ngris dorën ju nuk mund të ma konstatoni votën time se a është pro, kundër apo abstenim”, tha Gashi.
I gjithë diskutimi u bë lidhur me mbledhjen kur s’u certifikua Lista Serbe./ Gazeta Enigma.