Është zhvilluar një debat me tone të ashpra mes deputetes së LDK-së, Valentina Bunjaku dhe Drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa, ndërkohë që më pas në debat është përfshirë edhe deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, njofton Gazeta Enigma.
E gjithë kjo filloi gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kur deputetja Bunjaku pyeti disa herë Bordim se si arriti Beqaj të emërohej në pozitën e Drejtorit, pasi ka qenë i përfshirë në një rrahje.
“Në nëntor, Selajdin Beqaj, i akuzuari që është këtu, ka rrahur Shemsedin Elezin dhe po të njëjtin më 19 dhjetor e ke emëruar drejtor. Me çfarë baze dhe a keni qenë në njohuri për skandalin që ka ndodhur në autoritet?”, pyeti Bunjaku.
Ndërkohë që më pas Beqaj ndërhyri, deputetja Bunjaku iu drejtua ashpër atij duke i thënë se nuk ka të drejtë të flasë.
“Ti mos fol se je i akuzuar, shuj. Ti rri shuj qaty. Me ty s’jam tu fol, mbylle gojën. Nuk e lejoj me fol të akuzuarin”, tha Bunjaku.
Më pas Beqaj iu kthye Bunjakut duke thënë: “Deputete e ke hap Kutinë e Pandorës, ta kesh parasysh. Kemi me i shku deri në fund kësaj pune”,.
Deputetja nga Gjilani më pas u përplas edhe me deputetin e LVV-së, Driton Hysenin, pasi ai i tha se qëndron nëpër “skuta”.
“Po du me shpenzu diskutimin për raportin vjetor. Mandej thellohu ti në detajet që i dëgjon qoftë kafeve, qoftë skutave që rrin ti”, tha Hyseni.
Bunjaku më pas reagoi ashpër dhe i kërkoi ta tërhiqte fjalën.
“Kush rrinë skutave? Pse po fol palidhje? A s’po të vjen marre, a s’po të vjen turp? Kërko falje edhe tërhiqe fjalën,. Qysh i thua një gruaje ‘po rri skutave’? Këqyrni gratë e juve kah po ju rrinë”, u shpreh Bunjaku. /Gazeta Enigma