Tragjedia e mbrëmshme te lumi Vardar, afër Shkupit ka tronditur vendin. Trupat e tri grave janë nxjerrë pa shenja jete nga lumi, pasi u aksidentuan dhe vetura e tyre doli nga rruga. Në veturë ka qenë edhe një person tjetër, familjar i viktimave – teksa fëmija që ndodhej po ashtu në veturë shpëtoi.
Viktimat që u aksidentuan tragjikisht janë nga familja Arsllani, nga fshati Gërçeci i Komunës së Sarajit në Maqedoni të Veriut.
Në veturë ka qenë edhe një fëmijë, i cili gjatë rrokullisjes ka dalë nga vetura dhe është gjetur më pas nga disa kalimtarë që e kanë dërguar në spital.
Siç u raportua, kërkimet për personin e katërt u ndalën mbrëmë për shkak të kushteve atmosferike dhe vështirësisë për të parë qartë, për të vazhduar me aksionin sot.
Nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kanë bërë të ditur se kanë filluar hetimet në Rashçe, për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Në njoftim po ashtu thuhet se do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës.
“Pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në terrene të paarritshme, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave me qëllim përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Sipas informacioneve fillestare, automjeti drejtohej nga njëri prej të ndjerëve. Gjithashtu do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në kumtesë e Prokurorisë Themelore.
Ndërkaq, bazuar në informacionet e pakonfirmuara, në veturë ishin kryefamiljari me gruan, vajzën, nusen e djalit dhe nipin që kishin ardhur për pushime nga Italia.