Trajkoviq: Vuçiq i ka shndërruar serbët e Kosovës në skllevër të shekullit XXI

Trajkoviq: Vuçiq i ka shndërruar serbët e Kosovës në skllevër të shekullit XXI

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës dhe këshilltare në qeverinë Kurti, Rada Trajkoviq, mendon se Aleksandar Vuçiq e ka pranuar propozimin franko-gjerman. Ajo akuzon Vuçiqin për keqtrajtimin e serbëve në Kosovë, duke thënë se i ka shndërruar në skllevër të shekullit XXI.



Trajkoviq thotë se gjithçka ka përfunduar, lidhur me pranimin e propozimit franko-gjerman nga ana e Vuçiqit, nëse, sipas saj, nuk ka rezistencë më të madhe brenda shoqërisë serbe.

“Se kjo histori ka mbaruar, në fund të fundit, u pa në disa deklarata që pasuan pas pranimit [të propozimit franko-gjerman]”,  tha Trajkoviq.

Trajkoviq thotë se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, menjëherë pas pëlqimit të Vuçiqit, është takuar në Bruksel me ministren e Punëve të Jashtme të Spanjës pastaj me shefin e diplomacisë së Sllovakisë dhe po ashtu të njëjtën ditë me përfaqësuesin special të BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën.

“Normalisht, për t’ua përcjellë dhe për t’i njohur me faktin se Serbia ka pranuar që Kosova të ketë rrugën e saj drejt institucioneve ndërkombëtare. Ky është, në fakt, kusht i pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, pas së cilës ata do ta mendojnë tërheqjen e qëndrimit të tyre për mosnjohje, sepse siç dihet kanë problemet e tyre, të natyrës së ngjashme”, shpjegon Trajkoviq, transmeton Telegrafi.

Trajkoviq thotë për “Danas” se nëse Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, atëherë është normale që as ato vende të mos kenë asgjë kundër pavarësisë.

“Kjo është si një justifikim që ato shtete të mund të fillojnë procesin e njohjes së Kosovës. Njëkohësisht, Albin Kurti tha se mund të diskutohet edhe për Asociacionin nëse këto pesë shtete evropiane e njohin Kosovën. Në të vërtetë, kur shikoni se çfarë po ndodh tani, mund të shihni një koordinim të përshpejtuar. Është një përcaktim shumë i qartë dhe vendimtar i amerikanëve që të fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit”, thotë Trajkoviq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, këshilltare e të cilit është Trajkoviq, tha se do t’i përgjigjet ftesës së SHBA-së për të marrë pjesë në diskutimin e parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rashiq tha për Radion Evropa e Lirë se pret një “takim të mirë” më 31 janar, për formimin e Asociacionit gjë që ishte paralajmëruar më parë nga i dërguari special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Unë nuk do të shkoj në atë takim. Ftesën e ka ministri Rashiq, por, gjithsesi, ka një mënyrë për të vëzhguar të gjithë procesin dhe për tu përshëndetur. Ishte obligim i Serbisë të krijonte një dokument dhe një draft të Asociacionit  me një grup serbësh, gjë që nuk e bëri kurrë, sepse është në lajthitje se çfarë dëshiron të bëjë me Kosovën, duke pasur parasysh se është pjesë e projektit të ndarjes së Kosovës. Pra, nuk doli asgjë nga kjo, që është një tjetër dëshmi e mosinteresimit të tyre. Por, institucionalisht bisedimet do të nisin brenda ambasadës amerikane më 31 janar, ku në bisedime janë ftuar përfaqësues të partive dhe organizatave joqeveritare, të cilat do të jenë tërësisht të mbyllura për publikun. Kjo është një paralajmërim se Amerika, para zbatimit të marrëveshjes për projektet e afrimit apo rrugëtimit të Kosovës drejt institucioneve ndërkombëtare, do të duhet të zgjidhë formimin e Asociacionit”, vlerëson Trajkoviq.

Ajo më pas ajo shtron nëse Kurti do të jetë sa duhet i mençur dhe të merr pjesë në diçka që është formësimi i atij Asociacioni, a do t’i qaset ndonjë koncepti tjetër, që serbët, ta zëmë,  të formojnë vetë Asociacionin…?

“Amerikanët me siguri do ta sjellin procesin deri te rezultati. Varet vetëm se cila rrugë do të zgjidhet. Në të vërtetë, të gjitha këto histori për Republikën Srpska, se formimi i Republikës Srpska në veri të Kosovës duhet të parandalohet, vërtet e vështirësuan të gjithë procesin… Republika Srpska është grumbull i gjithçkaje, niveleve të ndryshme të decentralizimit… Asgjë në botë nuk i ngjan njëra-tjetrës”, thotë Trajkoviq, transmeton Telegrafi.

Ajo tregon pasojat e këqija të lëvizjeve që bëri Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiq i tërhoqi nga institucionet të gjithë serbët nga veriu i Kosovës. Njëkohësisht të gjithëve u ka dhënë vendime se janë punonjës të shtetit të Serbisë. Pra edhe policëve, punëtorëve teknikë, gjyqtarëve… Ai i lidhi edhe politikisht për vete. I ka lidhur ekzistencialisht, duke krijuar kështu një terren të përshtatshëm për shantazh. Ai krijoi një platformë për sundimin e atyre serbëve përmes prizmit të modalitetit të shantazhit që ai e përdor”, thotë Trajkoviq.

Jo vetëm kaq, Trajkoviq thotë se edhe Milan Radoiçiq ka ndryshuar edhe vendndodhjen e tij disa ditë më parë.

“Nuk është më në Kopaonik, tani është në Rashkë. Ai i thirri serbët e pakënaqur nga Graçanica, rreth pesëdhjetë prej tyre, dhe u premtoi një lloj punësimi dhe rend në institucionet e kontrolluara nga shteti i Serbisë. Kjo është një mënyrë tjetër që ata të zgjerojnë ndikimin e tyre në mënyrë më agresive – domethënë në enklava. Është treguar se Beogradi punon drejtpërdrejt sipas rekomandimeve të Milan Radoiçiqit për zgjidhjen e çështjeve kadrovike. Që realisht paraqet një skandal mbi skandale”, thotë ajo.

Ajo thekson se ata e bëjnë këtë në mënyrë publike dhe agresive, “në thelb duke arrestuar të gjithë serbët në Kosovë”.

“Që mund të kontrollojnë dhe shantazhojnë për dhënien e punës, shkarkimin, dëbimin dhe pranimin në vende të punës. Ata tani po fitojnë skllevër të shekullit XXI. Këtë e bëjnë nga populli i  tyre”, vlerëson Trajkoviq.

“Nuk e di si do të mbrohet populli nga kjo…”, shton ajo.

Trajkoviq thotë se falë politikës së Vuçiqit pak serbë mendojnë të qëndrojnë në Kosovë…

“Në këtë moment shumica e prindërve, fëmijët e të cilëve mbarojnë shkollën fillore në Kosovë, planifikojnë t’i regjistrojnë në shkollën e mesme jashtë Kosovës. Kralevë, Çaçak, Rashkë, Prokuplje, Nish… është e parëndësishme. Vështirë se dikush mendon të qëndrojë në Kosovë. Ky është rezultat i politikës që Vuçiq e zbaton në Kosovë për dhjetë vjet – që mafia të integrojë dhe të kujdeset për serbët. I integron serbët në sistem dhe pastaj e njëjta mafia i dezintegron në momentin kur u duhet. Kjo ndodh sepse asgjë nuk kalon në procese normale demokratike”, shpjegon  Trajkoviq.

Sipas saj, bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta kuptojë se çdo marrëveshje me Vuçiqin në thelb nënkupton ruajtjen e atij sistemi.

“Vuçiq nuk sundon me vullnetin e popullit, ai sundon me shantazh ekzistencial”, përfundon Trajkoviq. 

Related Articles