Trajneri i Clujit, Dan Petrescu e pranon se ndihet i frikësuar nga forca e Ballkanit, një javë para përballjes së ekipit të tij me kampionin kosovar.
Skuadrat kishin barazuar në Prishtinë 1:1 në fillim të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
E tash, ekipi rumun me një fitore eventuale ndaj skuadrës Portokalli do ta sigurojë kualifikimin tutje.
Sidoqoftë, Cluj ka nevojë për lojë të madhe në shtëpi për ta mposhtur skuadrën kosovare, e cila do të luajë e qetë dhe pa presion, pasi tashmë nuk ka gjasa për kualifikim tutje.
“Ne duhet të fitojmë dhe më pas të jemi në Evropë edhe në pranverë. Por, Ballkani është një ekip i cili i ka realizuar gjashtë gola në udhëtim, prandaj është e qartë se do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Shpresoj që ta ruajmë freskinë për ndeshjen e së enjtes. Ballkani do ta japë më të mirën e tij, jam i sigurt. Më duhet ta gjej balancën”, deklaroi Petrescu.
“E enjtja është rasti ynë, si në aspektin material ashtu edhe në atë sportiv. Do të ishte një sukses për futbollin rumun po ashtu. Ndeshja e së enjtes është mjaft e rëndësishme”, përfundoi Petrescu.
Ballkani u mposht mbrëmë nga Slavia Praga 0:1 në “Fadil Vokrri”.