Klubi i futbollit, Drita do të përballet me ekipin e njohur finlandez, Inter Turku në rrethin e parë kualifikues në Conference League.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Finlandë më 6 korrik, kurse ajo e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” më 12 korrik, shkruan Gazeta Express.
Para ballafaqimit të tyre, për Gazetën Express ka folur trajneri i Inter Turkut, Miguel Grau.
Ai fillimisht tha se është e vështirë të studiohet loja e Dritës, pasi ata janë në fazën para-sezonale dhe duhet të mirren vetëm ndeshjet nga sezoni i kaluar.
Por që sipas tij ekziston rreziku se çdo gjë në lojën e tyre mund të jetë më ndryshe këtë edicion.
“Ne do t’i studiojmë me siguri, por kjo nuk është e lehtë, sepse ata janë në fazën para-sezonale. Ata po luajnë vetëm lojëra miqësore dhe nuk është e lehtë të studiosh një ekip të tillë. Për të patur akces në ndeshjet miqësore është e pamundur dhe ne duhet të përgatitemi për përballje duke parë ndeshjet e tyre nga sezoni i kaluar, por mund të jetë shumë ndryshe nga ky sezon. Ndeshja e parë do të jetë më e vështirë, por pas kësaj do të kemi një ide të qartë të lojës së tyre”, u shpreh fillimisht Grau.
Tutje, ai tha se në ndeshjen e zhvilluar në Kosovë pret një ekip agresiv, por që do të kenë përparësi, pasi Drita nuk luan në stadiumin ku i zhvillon ndeshjet si vendas.
“Ne presim një ekip shumë agresiv dhe tifozë të mirë. Asgjë nuk do të jetë e lehtë. Ata nuk luajnë në fushën ku luajnë zakonisht, kështu që mund të na japë pak avantazh. Ne duhet të studiojmë fushën dhe motin dhe të punojmë me këtë”, theksoi Grau për Express.
Në fund, trajneri spanjoll theksoi se do të jetë vështirë, por që do të japin maksimumin.
“Do të jetë e vështirë, por ne jemi shumë entuziastë për këtë kompeticion dhe duhet të vendosim gjithçka në këtë lojë. Ne do të japim maksimumin për të qenë të fortë. Mendoj se nëse kalojmë këtë raund do të jetë gjë shumë e mirë për tifozët tanë dhe klubin”, përfundoi ai.
Përveç Dritës, nga Kosova në kualifikimet e Conference League marrin pjesë edhe Llapi e Gjilani, kurse Ballkani si kampion i Kosovës garon në kualifikimet për Champions League.