Trajneri i KV Dritës pas fitoi titullin: Të bëhesh kampion është kënaqësia më e madhe e një sportisti

Trajneri i KV Dritës pas fitoi titullin: Të bëhesh kampion është kënaqësia më e madhe e një sportisti

Klubi i volejbollit, KV Drita në kategorinë e femrave është duke e thënë fjalën e fundit në këtë sport në vitet e fundit.

Trajneri gjilanas, Lorik Ilazi i cili e ka nisur zejën e trajnerit prej vitit 2004, është duke i udhëhequr vashat e Dritës me shumë sukses duke i bërë që mos të kenë konkurrencë në volejbollin kosovar.

KV Drita arriti që të kurorëzohet me titullin kampion pas një trilleri prej pesë ndeshjeve.

Gjilanaset nuk e nisën mirë serinë e finaleve, pasi i hupen dy ndeshjet e para duke ia vështirësuar punët vetës. ‘Inelektualet’ nuk u dorëzuan dhe i mbledhen forcat duke e barazuar serinë në 2 me 2.

Ndeshja e pestë e vendoste fituesin për këtë vit, e cila u luajt në palestrën “Bashkim Selishta” në Gjilan.

Palestra ishte e stërmbushur me përkrahës të Dritës, me intelektualët të cilët dhuruan spektakël, mirëpo edhe tifozët e Skenderajt kishin udhëtuar për në Gjilan për ta përkrahur skuadrën e tyre.

Drita arriti që ta mbroj titullin e kampionit duke e mposhtur KV Skenderajn 3-0 me sete për t’u shpallur kampion për herë të shtatë në histori të klubit.

Trajneri i KV Dritës, Lorik Ilazi në një intervistë për Gazetën Enigma ka treguar për emocionet e ndeshjeve finale.

Ai thotë se të shpallesh kampion është kënaqësia më e madhe e një sportisti.

Çdo vit edhe çdo titull ka sakrificat e veta, i tillë ishte edhe ky vit. Të bëhesh kampion është kënaqësia më e madhe e një sportisti, sepse luftojmë e punojmë çdo ditë që të arrijmë këtë gjë”, thotë trajneri Lorik Ilazi për Gazetën Enigma.

Trajneri gjilanas thotë se ky vit, ishte vit i ‘rikthimit’ për Dritën, pasi triumfin edhe në finale të Kupës së Kosovës e bëren me rikthim.

Ai thotë se këto rikthime janë bukuria e këtij viti te skuadra e Dritës.

Ky titull edhe në këtë vit e ka kënaqësinë e vet të ashtuquajtur “rikthim”, është viti i rikthimit të Dritës. Ne ishim duke humbur 2:0 në finale të Kupës dhe e fituam 3:2 Kupën e Kosovës, ishim duke humbur 1:0 me lojë në gjysmëfinale dhe fituam 2:1 për të kaluar në finale ku e nisëm keq dhe ishim duke humbur 2:0 me lojë dhe arritëm t’i mbledhim forcat duke i fituar tri lojë radhazi duke u shpallur kampion 3:2 me lojë, kjo është bukuria e këtij viti”, thotë trajneri 42-vjeçar i cili arriti ta mbroj titullin e kampionit edhe këtë vit me Dritën.

photo by: @Shpend Ahmeti

Trajneri Ilazi thotë se finalja me pesë ndeshje ishte e lodhshme, por motivimin e merrnin nga këngët e tifozërisë “intelektualët”.

Ndeshjet maksimale në finale e bënë të bukur këtë vit, sepse është finalja e parë në histori të volejbollit që luajmë pese ndeshje finale që është maksimumi i mundshëm. Ishte e lodhshme padiskutim, por sa herë që kemi hyrë në palestër ishte kënaqësi e harrojshim çdo lodhje duke u kënaqur t’u i dëgjuar këngët e intelektualëve që na mbushin me energji. Intelektualët janë forca e jonë”, thekson ai.

Cili ishte çelësi i rikthimit të rezultatit, tregon për Enigmen, trajneri Lorik Ilazi.

Ne nuk dorëzohemi deri në pikën e fundit dhe kjo na karakterizon, ne stërvitemi çdo ditë nga dy herë në ditë që të tregojmë vlerat tona, aty kur duhet. Ne e kemi analizuar shumë kundërshtarin dhe kjo çdo ditë na shtonte besimin se ne mund të ia dalim dhe kjo tregonte fryt nga ndeshja në ndeshje”, tregon ai.

I pyetur se si e përshkruan triumfin në ndeshjen e fundit finale ku u shpallën kampion përpara një përkrahje të madhe të tifozërisë “intelektualët”, kjo është përgjigja e trajnerit Lorik Ilazi: “Kampion, me Intelektualët në përkrahje ne jemi kampion, kënaqësi dhe vetëm kënaqësi”.

Trajneri gjilanas thotë se tani për tani do të shkojnë në pushim për ta shijuar titullin kampion, pastaj do të vendosin për të formuar ekipin për vitin e ardhshëm.

photo by: @Shpend Ahmeti

Ne tani kalojmë në pushim disa javë dhe shpejt do ta formojmë ekipin e ri, akoma nuk kemi plane, së pari ta shijojmë titullin, të pushojmë e mandej mendojmë për punë për vitin e ardhshëm”, tregon Lorik Ilazi për Enigmën.

Kujtojmë që KV Drita titullin e kampionit në këtë vit e ka fituar për të tretin vit radhazi, kurse në 8 vitet e fundit është shpallur kampion, shtatë herë, vetëm në vitin 2020 nuk ka arritur të triumfoj. Po ashtu edhe Kupën e Kosovës e ka fituar plotë shtatë herë që nga viti 2014 e deri më tani 2023.

/GAZETA ENIGMA/

photo by: @Shpend Ahmeti

Related Articles