Trajneri i kombëtarës së Turqisë, Vincenzo Montella, është paraqitur në një konferencë për media pas arritjes në Prishtinë.
Para mediave, strategu italian deklaroi se Kosova ka arritur këtu me plot meritë.
“Kosova ka ardhur deri këtu me meritë. Nga ana taktike dallohet qartë struktura e tyre, kanë një lojë dhe ide shumë të qartë. Këtë mund ta shihni edhe gjatë ndeshjes. Do të dalim në një finale. Edhe ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë dhe e dimë çfarë duam të bëjmë”, deklaroi ai.
Turqia nuk ka luajtur në Botëror që nga viti 2002, me Montellën që thotë se do ta bëjnë më të mirën për vendin e tyre.
“Të gjithë e ndjejnë presionin. Kjo është një finale. Prej 24 vitesh nuk kemi shkuar, por shumica e lojtarëve tanë as nuk kishin lindur atëherë. Nëse nuk kemi shkuar për 24 vite, nuk janë ata përgjegjës. Këtë herë duam të shkojmë dhe do të bëjmë më të mirën për vendin tone”, tha ai.
Nesër me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luhet finalja e madhe mes Kosovës dhe Turqisë.
“Dardanët” synojnë ta shkruajnë historinë duke marrë pjesë për herën e parë në Kampionatin Botëror, që zhvillohet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
