Tre civilë të vrarë nga sulmi rus me dronë në rajonin e Kievit

Tre civilë të vrarë nga sulmi rus me dronë në rajonin e Kievit

Rusia nisi një grumbull dronësh gjatë një sulmi të kryer natën në orët e hershme të së premtes, duke vrarë tre civilë e duke dëmtuar ndërtesa komerciale dhe të banimit, thanë zyrtarët ukrainas.

Ministria e Brendshme tha se mbetjet e dronëve kishin lënë të vdekur dy burra e një grua në rajonin qendror të Kievit dhe një person tjetër ishte lënduar. Sulm dëmtoi një ndërtesë shumëkatëshe të banimit, tetë shtëpi private, ndërtesa komerciale dhe disa vetura private, thanë zyrtarët rajonalë të Kievit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përderisa lufta po i afrohet trevjetorit, Rusia i ka shtuar sulmet e veta ajrore ndaj Ukrainës, duke hedhur dhjetëra dronë pothuajse përnatë.

Zyrtarët ukrainas thonë se forcat ruse kanë hedhur më shumë se shtatë mijë dronë gjatë vitit 2024, të paktën dyfish më shumë se më 2023.

Shumica prej tyre janë rrëzuar ose u është ndryshuar drejtimi përmes pajisjeve elektronike luftarake, por shumë të tjerë prapëseprapë arrijnë në caqet e tyre.

Rusia mohon se i vë në shënjestër civilët gjatë luftimeve.

Related Articles