Kanë mbetur edhe tre muaj deri në fillimin e Kupës së Botës 2026 në Amerikën e Veriut, dhe lufta në Lindjen e Mesme ka ngritur pyetje nëse Irani do marrë pjesë në këtë kompeticion.
Dhe ndërsa sporti nuk është një shqetësim i madh për ata në Lindjen e Mesme këtë javë, konflikti ka shkaktuar dyshime të reja mbi pjesëmarrjen e Iranit në garë, me vendin e përfshirë në përshkallëzimin e dhunës pas sulmeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Irani, ndeshjen e parë në Amerikë do ta luajë në fazën e grupeve, kundër Zelandës së Re, në Los Angeles, transmeton Gazeta Enigma.
Duke pasur parasysh ritmin me të cilin po zhvillohen ngjarjet në të gjithë Lindjen e Mesme, është shumë herët të parashikohet se si ekipi iranian i futbollit do të preket nga konflikti.
Presidenti i federatës së futbollit të Iranit ka hedhur dyshime mbi përfshirjen e saj në Kupën e Botës.
“Ajo që është e sigurt është se pas këtij sulmi, nuk mund të pritet që ne ta presim me shpresë Kupën e Botës”, tha Mehdi Taj.
Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka krijuar një vakum pushteti në regjim, duke shkaktuar një proces kompleks të gjetjes së një pasardhësi. Kjo e bën të paqartë se kush do të jetë përgjegjës për çdo vendim në lidhje me bojkotimin e mundshëm të turneut, ose si do të jetë marrëdhënia e udhëheqësit të ardhshëm me SHBA-në.
FIFA tha se “është pak e parakohshme të komentojmë për këtë në detaje, por sigurisht që ne do të monitorojmë zhvillimet rreth të gjitha çështjeve në të gjithë botën”.
“Ne patëm shortin përfundimtar në Uashington, ku morën pjesë të gjitha ekipet. Fokusi ynë është të kemi një Kupë Botërore të sigurt me të gjithë pjesëmarrësit”, u tha në komunikatë.
Tifozët nga Irani nuk mund të hyjnë në SHBA, pasi administrata e presidentit Donald Trump vendosi ndalime udhëtimi vitin e kaluar. Kjo do të thotë që shumë mbështetës të Iranit nuk do të jenë në gjendje të shikojnë ndeshjet e grupit të ekipit të tyre në Kaliforni dhe Seattle.
Dhe ndërsa atletët dhe trajnerët janë të përjashtuar nga ndalimi, Irani kërcënoi të bojkotonte shortin e Kupës së Botës në Uashington, në dhjetor pasi anëtarëve të delegacionit të tij iu mohuan vizat amerikane.
Në fund, një delegacion i vogël – përfshirë trajnerin kryesor të ekipit – mori pjesë në ceremoni.
Irani më pas u shortua në Grupin G dhe do të luajë kundër Zelandës së Re, Egjiptit dhe Belgjikës në Kupën e Botës.
Kupa e Botës pritet të jetë më e madhja ndonjëherë, me 48 ekipe që luajnë në një turne që përfshin Meksikën, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë nga 11 qershori deri më 19 korrik.
