Tre të arrestuar në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

Tre të arrestuar në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me keqpërdorim të kartelave bankare dhe vjedhje të të dhënave personale.

Operacioni është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me prokurorinë dhe me urdhër të gjykatës, më 31 korrik 2025, në rajonin e Prishtinës.

Fillimisht janë ndaluar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko) dhe përmes rrjete ve sociale kanë shpërndarë video ku shfaqeshin duke tërhequr para në bankomate të ndryshme.

Po ashtu, sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kishin hapur edhe faqe në rrjete sociale për të promovuar përdorimin e këtyre kartelave. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike si dëshmi materiale, përfshirë, dy kompjuterë, një laptop, dy telefona mobil, tri USB dhe një hard-disk (HDD).

Të dyshuarit akuzohen për vepra penale si: “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”, dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Më 1 gusht 2025, policia ka arrestuar edhe personin e tretë, gjithashtu mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e të njëjtit grup kriminal.

Të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit të rastit.

Related Articles