“Trepça” del me njoftim: 29 punëtorë kanë dalë nga miniera dhe 18 punëtorë ndodhen ende në minierë

“Trepça” del me njoftim: 29 punëtorë kanë dalë nga miniera dhe 18 punëtorë ndodhen ende në minierë

Rreth 18 punëtorë të Trepçës vazhdojnë të mbesin të ngujuar në minierë.

Sipas njoftimit zyrtar, 29 punëtorë kanë dalë nga miniera, kurse theksohet se kjo ndodhi për shkak të një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg.

Trepça ka deklaruar tutje se pjesa e mbetur e punëtorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh.

“Trepça Sh.A. njofton opinionin publik se më datë 14.05.2026, rreth orës 01:30, ka ndodhur ndërprerje e furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg”.

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Në momentin e paraqitjes së defektit, në minierë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë të ndërrimit të tretë, të cilët kanë hyrë në punë më datë 13.05.2026 në ora 23:00: 29 punëtorë kanë dalë nga miniera dhe 18 punëtorë ndodhen ende në minierë”.

“Pjesa e mbetur e punëtorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh. Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur. Trepça Sh.A. do të vazhdojë të mbajë të informuar opinionin lidhur me zhvillimet e mëtejshme”.

Related Articles