Një super përballje e jashtëzakonshme është zhvilluar mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës në ‘Minatori’, ku pas vazhdimeve fituan mitrovicasit me rezultat 94:90, në kuadër të javës së 20-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendasit e nisën më mirë me seri 8:2, por më pas rikthehen shpejt prishtinasit, ku u zhvillua lojë e baraspeshuar, megjithatë, në fund të çerekut të parë shkëputen ‘Xehetarët’ 24:16, kurse bardhekaltrit u rikthyen sërish, ndërsa kjo pjesë përfundoi 28:25.
Periudha e dytë ishte më e baraspeshuar, ndërsa epërsia më e lartë u takoi mitrovicasve, nëntë pikë, 39:30, ndërsa pjesa e parë përfundoi 47:42.
Adhuruesit e basketbollit kishin mundësi të shohin një përballje shumë interesante në periodën e tretë, ku u luftua për çdo top dhe atmosfera në ‘Minatori’ ishte e jashtëzakonshme. Për një nuancë ‘Xehetarët’ ishin më të mirë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 63:56.
Kryeqytetasit nuk dorëzohen për të barazuar shifrat në 65:65 dhe duke e bërë sfidën dramatike. Kjo edhe ndodhi, pasi Burke shënoi në sekondat e fundit për të barazuar rezultatin në 80:80, duke shkuar në vazhdime.
Ai më herët shënoi edhe tri pikë, duke qenë më meritori te Prishtina, që shkuan në vazhdime.
Edhe në vazhdime u zhvillua ndeshje shumë interesante. Prishtinasit kishin katër pikë epërsi, 83:87, por nuk e ruajtën dhe vendasit të përkrahur nga tifozë në palestër arritën rikthimin e madh, duke triumfuar me shifrat 94:90.
Te mitrovicasit u dalluan Drilon Hajrizi me 21 pikë, tetë kërcime e nëntë asistime, Amin Hot me 16 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, Corban Collins me 19 pikë dhe Andrew Gordon me 15 pikë e dhjetë kërcime, kurse te prishtinasit u dalluan Kenny Brown me 29 pikë dhe Dachon Burke me 16 pikë.
Trepça ka 14 fitore dhe gjashtë humbje, kurse Sigal Prishtina ka dhjetë fitore dhe dhjetë humbje.