Nënkampionia e Kosovës në basketboll, Trepça ka siguruar pjesëmarrjen në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup.
Trepça ka përfunduar e para në Grupin C të turneut kualifikues të mbajtur në Estoni. Pas triumfit ndaj Tindastollit të mërkurën, Trepça të enjten ka mposhtur edhe skuadrën estoneze, Parnu.
Në ndeshjen e luajtur në “Parnu Sports Hall” Trepça ka triumfuar me shifrat 77:67. Me këtë fitore, Trepça ka siguruar vendin e parë në grup me pikë maksimale, i cili automatikisht e ka dërguar në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Për Trepçën, kjo është hera e parë në histori të klubit që do të paraqitet në sezonin e rregullt të njërës prej garave të FIBA-s. Mitrovicasit edhe edicionin e shkuar patën kërkuar kualifikimin në fazën e grupeve, por u patën eliminuar në turneun kualifikues të organizuar në palestrën “Minatori” në Mitriovicë.
Ndaj Parnus, Trepça pati paraqitje të mirë, sidomos në dy çerekët e fundit, të cilët ia siguruan edhe fitoren. Edhe pse ndeshjen e nisi mirë, çerekun e parë, Trepça e mbylli në disavantazh prej 4 pikëve – 15:11. Çerekun e dytë, Trepça e fitoi 21:20 dhe në periudhën e tretë, u fut me një disavantazh prej tri pikëve. Këtë periudhë, Trepça e fitoi me 7 pikë për rezultatin 58:54, ndërsa në dhjetë minutat e fundit jo vetëm që e mbajti epërsinë por e ngriti deri në dhjetë pikë për ta mbyllur ndeshjen dhe siguruar kualifikimin në sezonin e rregullt. Qendra Jordy Tshimanga ishte më i dalluari te Trepça, duke e mbyllur ndeshjen me “double-double” prej 14 pikëve e 12 kërcime. Në këtë sukses historik, kontribuan edhe Kevin Davis, Mikaile Tmushiq e Devon van Ostrum. Davis pati 17 pikë, Tmushiq 14, ndërsa Van Ostrum shtoi 12 sosh. Te Parnu më efikasi ishte Ivo Van Tamm me 16 pikë të realizuara.
Trepça do të jetë pjesë e Grupit G, të cilin e përbëjnë edhe Hapoel Galil Elion (Izrael), ZZ Leiden (Holandë) dhe Gravelines Dunkerque (Francë). Ndeshjen e parë në grup, Trepça do ta luan më 18 tetor, në udhëtim te Hapoel Galil Elioni i Izraelit.