Policia e Kosovës përmes raportit 24-prësh ka njoftuar se brenda kësaj kohe kanë ndodhur tri aksidente trafiku me fatalitet në vendin tonë, raporton Gazeta “Enigma”.
Aksident trafiku me fatalitet 3 Aksident trafiku me të lënduar 40 Aksident trafiku me dëme materiale 80
Aksidenti i parë ka ndodhur në fshatin Lladovë të Gjilanit, ku një ditë pas aksidentit këmbësori që u godit nga makina ka ndërruar jetë.
“Fsh. Lladovë, Gjilan 14.08.2025 – 15:40. Raportohet se e dyshuara femër kosovare gjersa ka qenë duke drejtuar veturën e saj, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar. Me datë 15.08.2025 është raportuar se viktima i cili ka qenë në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, njofton policia.
Aksidenti tjetër ka ndodhur në qytetin e Pejës, ku një person ka humbur jetën.
“Rr. Adrian Krasniqi, Pejë 15.08.2025 – 09:35. I dyshuari mashkull kosovar, gjersa ka qenë duke drejtuar kamionin dyshohet që nga pakujdesia ka goditur një karrocë për persona me aftësi të kufizuara të cilën e drejtonte viktima mashkull kosovar. Si pasojë e lëndimeve të marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa trupi i pajetë në IML për autopsi”.
Rasti i tretë ka ndodhur në rajonin e Gjakovës. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar një mashkull dhe gjashtë femra. Nga lëndimet e marrura njëra nga viktimat femër ka ndërruar jetë.
“Rr. Adem Jashari, Malishevë 15.08.2025 – 13:39. Dy vetura me targa lokale janë përfshirë në aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar një mashkull dhe gjashtë femra. Nga lëndimet e marruar njëra nga viktimat femër kosovare ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”./Gazeta Enigma/