Tri netë në duart e ushtarëve serbë, e mbijetuara tregon për dhunën që përjetoi

Tri netë në duart e ushtarëve serbë, e mbijetuara tregon për dhunën që përjetoi

Pasi kishte mbetur pa bashkëshortin e fëmijët dhe me asnjë informacion mbi fatin e tyre, e mbijetuara e dhunës seksuale e cila po ndan rrëfimin e saj në TV Dukagjini, mbeti në duart e ushtarëve serb.

Të njëjtit, e kishin lënë tek shtëpia e dajës së bashkëshortit, aty ku do ta përjetonte armën më të rëndë të luftës, të dhunohej seksualisht e fizikisht.

“Tre-katër vet kanë qenë, nejse me ato të vetat, unë u dorëzova, s’kam pas kah me shku, u dorëzova mbeta në dorë të tyre, edhe atëherë me kanë lëshu ata mua. A ishin kanë të drogirat a çka ishin kanë s’di unë, se unë nuk e di çka janë këto sene, veç kërkah s’ishin kanë ata, që thojnë unë në atë moment kam pas ymër, a din që thojnë kur të jesh me ymër, se unë këndej krejt e kam pas gjoksin zi që më sillnin me automata, ato senet e gata”

Siç tregon ajo, ushtarët serbë kishin qenë të pajisur edhe me thika që i përdorën, për t’ia shqyer të brendshmet.

“Vetëm brekët mi kanë shky me thikë edhe mi kanë lëshu teposhtë, fustanin e kam pas vesh, edhe ma s’kam ditë edhe me kanë lëshu pastaj ata. Tri net e tri ditë unë pa hangër pa pi, i kam pas 88 kilogram, kam ra në 40 kilogram për tri ditë, mua s’më kanë njoftë as prindërit e mi, as prindërit e mi s’më kanë njoftë se shumë kam qenë keq, shumë kam përjetu, sene shumë keq kam përjetu”, ka treguar ajo.

Pas tre netësh maltretime, serbët e kishin lëshuar e ajo, mori rrugën për të ikur nga ky qytet në kërkim të fëmijëve e shpëtimit.

Related Articles