Donald Trump ka fituar një seri të zgjedhjeve paraprake republikane, duke bërë kështu hap të madh përpara që të bëhet kandidati nga radhët e Republikanëve për të garuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në nëntor, raporton “BBC”.
Trump me gjasë do të përballet me Joe Bidenin në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Ish-presidenti Trump fitoi zgjedhjet paraprake në Missouri, Michigan dhe Idaho së fundi. Ai ka fituar deri më tash në të gjitha zgjedhjet paraprake republikane, nga të cilat partia nominon kandidatin për zgjedhjet e nëntorit.
Trump 77-vjeçar u ka thënë përkrahësve të tij në Virginia gjatë një tubimi se është “në një raketë për te nominimi Republikan”.
Ai mund ta sigurojë nominimin qysh javën e ardhshme.
Rivalja e vetme e Trumpit në garë është ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.
Trumpi është i projektuar të fitojë të gjithë delegatët në dispozicion në Missouri dhe Idaho, e po ashtu edhe ata që kanë mbetur në Michigan.
Në Richmond të Virginias të shtunën Trump tha se “do të fitojë thellë” të martën, kur 15 shtete do të zgjedhin brenda një dite kandidatin presidencial. Trump me këtë thuajse do ta siguronte nominimin.
Trump po ashtu ka kritikuar presidentin aktual Joe Biden. Ai ka aluduar se Biden “qëllimshëm po inkurajon migrantët të futen nga Meksika për në SHBA”.
“Biden dhe bashkëpunëtorët e tij duan ta shembin sistemin amerikan, ta anulojnë vullnetin e votuesve aktualë amerikanë dhe të krijojnë një bazë të re të fuqisë që do t’u jepte atyre kontroll me gjenerata të tëra”, ka thënë Trump.
Kjo ka ngjall reagime nga ekipi i Bidenit.
“Sërish Trump po synon të shpërqëndrojë qytetarët amerikanë nga fakti se ai ka ‘mbytur’ projektligjin më fer dhe më të fortë për sigurinë kufitare, pasi besonte se kjo do t’i ndihmonte fushatës së tij”, ka thënë Ammar Moussa, zëdhënës i fushatës së Bidenit.
Ai i është referuar projektligjit bipartizan për imigracionin i cili dështoi, projektligj që Trump e kundërshtoi fuqishëm.