Trump: Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Putinin, por ai është çmendur

Trump: Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Putinin, por ai është çmendur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e quajti “plotësisht të çmendur” presidentin rus, Vladimir Putin, pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, dhe paralajmëroi se nëse ai përpiqet të pushtojë tërë Ukrainën, kjo do të çojë në “rënien e Rusisë”.

Këto ishin deklaratat më të ashpra që Trump ka bërë ndonjëherë publikisht ndaj liderit të Kremlinit.

“Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka ka ndodhur me të. Ai është bërë KREJTËSISHT I ÇMENDUR!” shkroi Trump më 25 maj në platformën e tij, Truth Social.

“Ai po vret njerëz pa nevojë – dhe nuk po flas vetëm për ushtarët. Raketat dhe dronët po godasin qytetet ukrainase pa asnjë arsye”, shtoi Trump.

“Gjithmonë kam thënë se ai e do tërë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj – dhe ndoshta kjo po del të jetë e vërtetë – por nëse e bën, kjo do ta çojë Rusinë në rënie!”

Këto komente erdhën vetëm pak pas deklaratave të ngjashme që Trump bëri para gazetarëve.

“Nuk jam aspak i kënaqur me atë që po bën Putini. Ai po vret shumë njerëz, dhe nuk e di çfarë dreqin ka ndodhur me të”, tha Trump para gazetarëve në Nju Xhersi, ndërsa po përgatitej të kthehej në Uashington.

“Po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz – kjo nuk më pëlqen aspak”, u shpreh ai i zemëruar nga pista e aeroportit të Morristaunit.

“Jemi në mes të diskutimeve, dhe ai po godet Kievin dhe qytete të tjera me raketa. Nuk më pëlqen aspak. Jam i habitur. Shumë i habitur”.

“Diçka i ka ndodhur këtij njeriu – dhe nuk më pëlqen”.

Trump tha se do të shqyrtonte “absolutisht” vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për të shtyrë përpara bisedimet e paqes, ndonëse nuk dha hollësi.

Por, në postimin e mëvonshëm në rrjetet sociale, ai kritikoi ashpër edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë: “Zelensky nuk po i bën ndonjë shërbim vendit të tij me mënyrën si flet. Gjithçka që thotë sjell probleme, nuk më pëlqen dhe duhet të ndalet”.

Këto komente erdhën pasi Zelensky, në një kritikë të rrallë publike ndaj aleatit më të rëndësishëm të Ukrainës, dënoi atë që e quajti “heshtje e Amerikës” pas sulmeve ruse gjatë fundjavës që lanë të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

“Heshtja e Amerikës, si edhe e të tjerëve në botë, vetëm e inkurajon Putinin”, shkroi Zelensky më 25 maj.

Disa orë para deklaratave të Trumpit dhe pas fjalëve të Zelenskyt, i dërguari amerikan, Keith Kellogg, i quajti sulmet ndaj Kievit “të turpshme” dhe bëri thirrje për armëpushim.

“Vrasja pa dallim e grave dhe fëmijëve natën nëpër shtëpitë e tyre është shkelje e qartë e Protokolleve të Gjenevës të vitit 1977… Të ndalen vrasjet”, shkroi ai në llogarinë e tij në platformën X.

Related Articles