Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka marrë një vendim që prek drejtpërdrejt median publike amerikane. Ai ka urdhëruar ndalimin e fondeve federale për televizionin dhe radion publike, PBS dhe NPR, duke i cilësuar këto si media që “përhapin propagandë”.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka ripostuar urdhrin ekzekutiv të Trump në platformën “X”, duke bërë të qartë që mbështetja financiare për këto dy institucione publike është tashmë e ndërprerë.
Sipas, Trump, këto media financohen nga taksapaguesit dhe përhapin propagandë, duke shtuar se financimi i tyre nga qeveria është i panevojshëm.
Sipas urdhrit të nënshkruar nga Presidenti amerikan, jo vetëm që ndalet çdo fond i ri për PBS dhe NPR, por edhe fondet aktuale do të ndërpriten menjëherë.
Trump ka sqaruar se asnjë marrës i fondeve nga Korporata për Transmetimin Publik (CPB) nuk do të lejohet të përdorë fonde federale për këto dy media.
Në të njëjtën linjë, presidenti i ka dërguar paralajmërim edhe agjencive të treta, duke u kërkuar që të ndalojnë çdo formë financimi të drejtpërdrejtë ose tërthorazi për NPR dhe PBS.