“Hamasi” ka dorëzuar të hënën (13.10.2025) grupin e parë të pengjeve të fundit izraelite të mbijetuara, të rrëmbyera në sulmin e 7 tetorit 2023, një hap kyç në përfundimin e konfliktit shkatërrues dyvjeçar në Gazë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimi të nxitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raporton Reuters.
Dy vjet lufte e kanë kthyer Gazën në rrënoja, ku pothuajse të gjithë banorët janë të pastrehë, dhe kanë shkaktuar katastrofë humanitare në një shkallë masive. Lufta ka riformësuar gjithashtu Lindjen e Mesme përmes konflikteve izraelite me Iranin, “Hezbollahun” e Libanit dhe huthët e Jemenit.
Progresi drejt një paqeje të qëndrueshme tani varet nga angazhimet globale që mund të merren në konsideratë nga samiti që mbahet pasditen e së hënës me më shumë se 20 udhëheqës botërorë të udhëhequr nga Trump në vendpushimin Sharm el-Sheikh në Egjipt.
Ndërkohë që qindra njerëz kanë brohoritur në Sheshin e Pengjeve të Tel-Avivit, ushtria izraelite ka deklaruar se ka pranuar shtatë prej 20 pengjeve të mbijetuara pas transferimit të tyre nga Gaza nga Kryqi i Kuq. Në Gazë, rreth një numër personash të armatosur të maskuar dhe të veshur me të zeza, me sa duket anëtarë të krahut të armatosur të “Hamasit”, mbërritën në Spitalin Nasser ku ishte vendosur një skenë dhe karrige për të mirëpritur të burgosurit palestinezë që ktheheshin.
Shkëmbimet janë pjesë e rëndësishme e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur javën e kaluar në Egjipt, ku Trump dhe udhëheqës të tjerë botërorë do të takohen më vonë të hënën.