Sipas “Wall Street Journal”, në tryezën e presidentit amerikan janë opsione si intensifikimi i sulmeve ajrore, goditja e objekteve bërthamore dhe dërgimi i trupave tokësore.
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e zgjerimit të operacioneve ushtarake të SHBA-ve kundër Iranit, pas disa ditësh diskutimesh me zyrtarë të lartë të administratës, raportoi “The Wall Street Journal”.
Sipas burimeve amerikane, në shqyrtim janë disa skenarë, përfshirë intensifikimin e sulmeve ajrore, dërgimin e trupave tokësore për marrjen e ishujve iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, si dhe bombardimin e një kompleksi të fortifikuar që dyshohet se mund të lidhet me aktivitete bërthamore.
Trump zhvilloi më 14 korrik një takim në dhomën e situatave në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua mundësia e marrjes së ishullit Kharg dhe territoreve të tjera strategjike pranë Ngushticës së Hormuzit, si dhe goditja e një kompleksi tunelesh në malin Pickaxe, i lidhur me programin bërthamor iranian.
Gjithashtu, presidenti amerikan diskutoi mundësinë e zgjerimit të sulmeve ajrore ndaj objektivave të tjera në Iran, përfshirë instalacionet energjetike.
Në takimet e zhvilluara morën pjesë zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe gjenerali Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë sqarojnë se Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për një aksion të ri ushtarak. Presidenti ka deklaruar publikisht se preferon një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Iranin.
Sipas raportimeve, ngërçi diplomatik erdhi pasi Teherani nuk pranoi kërkesat e Trump për çështjen e arsenalit bërthamor, pavarësisht presionit ushtarak dhe propozimeve për lehtësime ekonomike.
Disa zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se Trump heziton të përdorë trupa tokësore dhe më herët është tërhequr nga disa kërcënime të forta publike, përfshirë marrjen e ishullit Kharg dhe goditjen e industrisë iraniane të naftës.
Nëse miratohen këto plane, do të ishte një përshkallëzim i madh i konfliktit disa muajsh mes SHBA-së dhe Iranit, me pasoja të mundshme për çmimet globale të energjisë dhe situatën politike në SHBA.
Një ditë më parë, Trump deklaroi se SHBA-të po shqyrtojnë shkatërrimin e objektit në malin Pickaxe, ndërsa tha se një marrëveshje me Iranin do të ishte alternativa më e mirë, përndryshe mund të goditen edhe infrastruktura kritike si ura dhe impiante energjetike.
Sipas mediave amerikane, Washingtoni ka njoftuar së fundmi Kongresin për rifillimin e armiqësive me Iranin dhe ka deklaruar rikthimin e bllokadës ndaj porteve iraniane, si dhe synimin për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit.
