Të enjten në Shtëpinë e Bardhë është mbajtur një iftar tradicional, i organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalim.
Trump falënderoi të ftuarit për ardhjen, duke theksuar veçanërisht kryetarët myslimanë që e mbështetën gjatë zgjedhjeve presidenciale. Në mesin e të pranishmëve ishin kryetari i bashkisë Hamtramck, Amer Ghalib, të cilin Trump e ka zgjedhur të jetë ambasadori i ri i SHBA-së në Kuvajt dhe kryetari i bashkisë së Dearborn Heights, Bill Bazzi, i cili do të marrë detyrën si ambasador i SHBA-së në Tunizi.
“Ndërsa ne respektojmë muajin e shenjtë islamik të Ramazanit, dua të filloj duke u thënë miqve tanë myslimanë, ne kemi shumë prej tyre sonte, dhe unë dua të them se shumë prej tyre në vende të tjera të botës për të gjithë njerëzit që na kanë mbështetur kaq fuqishëm, Ramadan Mubarak”, tha Trump.
Duke folur për angazhimin e SHBA-së në Lindjen e Mesme, Trump iu referua situatës në Rripin e Gazës dhe përpjekjeve diplomatike të administratës së tij.
“Ne po i përmbushim premtimet tona ndaj komunitetit musliman. Administrata ime është e angazhuar në diplomaci të palodhur për të krijuar paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke u mbështetur në Marrëveshjet historike të Abrahamit, për të cilat të gjithë thanë se do të ishin të pamundura dhe tani do të fillojmë t’i përmbushim ato”, tha presidenti amerikan.
Ai shtoi gjithashtu se beson se “njerëzit në dhomë do të donin” atë që ai bëri me disa urdhra ekzekutivë, duke përmendur vendimet për personat transgjinorë.
Trump falënderoi edhe ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane që morën pjesë në iftar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit.
“Mezi pres të punoj me miqtë e mi muslimanë për një të ardhme më të ndritur dhe mendoj se do të punojmë mirë së bashku. Do të përparoni si kurrë më parë dhe keni dikë në Shtëpinë e Bardhë që ju do,” përfundoi Trump.