Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli më 4 shkurt një propozim, sipas të cilit, palestinezët e zhvendosur do të largoheshin nga Rripi i Gazës, duke i hapur rrugën SHBA-së për të marrë në pronësi këtë territor bregdetar dhe për ta zhvilluar ekonomikisht në një vend “fenomenal”, ku kombësi të ndryshme mund të jetojnë në paqe.
Trump tha se kjo do të ndodhte pas zhvendosjes së popullit palestinez në vende të tjera, për t’i larguar nga ajo që ai e quajti “gropë ferri” me ndërtesa të shkatërruara, pas më shumë se një viti luftë mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Trump e bëri këtë propozim gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se një hap kaq drastik është i nevojshëm, sepse idetë e tjera për t’i dhënë fund konfliktit dekadësh mes palestinezëve dhe izraelitëve nuk kanë funksionuar.
Propozimi i tij për Gazën do të nënkuptonte se SHBA-ja do ta ketë atë nën kontroll, si dhe do të përmbyste politikën amerikane afatgjate që mbështeste zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Trump tha se SHBA-ja do të punojë për çmontimin e të gjitha bombave të pashpërthyera dhe armëve të tjera në këtë territor, si dhe për pastrimin e ndërtesave të shkatërruara, para se ta zhvillojë ekonomikisht zonën.
“Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë. Do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të ndihet krenare”, tha Trump.
Presidenti nuk dha menjëherë detaje mbi vendet ku palestinezët do të zhvendoseshin, por tha se do të mbështeste vendosjen e tyre “në mënyrë të përhershme” në shtete të tjera. Më herët gjatë ditës, ai përsëriti thirrjen e tij që Jordania, Egjipti dhe shtetet e tjera arabe t’i pranojnë palestinezët nga Gaza.
Hamasi ka këmbëngulur se dëshiron të mbetet në Gazë.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, e dënoi më herët thirrjen e Trumpit për largimin e palestinezëve si një “dëbim nga toka e tyre”.
Ideja e Trumpit për Gazën, reagon Arabia Saudite
Arabia Saudite riafirmoi mbështetjen e saj “të palëkundur” për një shtet palestinez të mërkurën pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump përsëriti synimin e tij që SHBA të “marrë përsipër” pronësinë e Rripit të Gazës gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite përsëriti gjithashtu qëndrimin e saj se nuk do të angazhohej për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin pa garancinë e një shteti palestinez.
“Arabia Saudite do të vazhdojë përpjekjet e saj të pandërprera për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa këtë”, thuhet në deklaratën në Twitter.
Ministria bëri thirrje gjithashtu për “përfundimin e pushtimit izraelit të tokave palestineze”.