Një ushtar ukrainas i vendosur në qytetin lindor të Bakhmut ka thënë për CNN se njësitë ukrainase janë ende në skajet e qytetit të afërt Soledar, i cili ka qenë nën sulm intensiv nga forcat ruse për disa javë.
Taras Berezovets, një kapiten në Brigadën e Parë të Forcave Speciale të Ukrainës, tha se qëndrimi në Soledar nuk kishte kuptim ushtarak, sepse ishte “shkatërruar plotësisht”.
Ai tha se beson që një vendim për t’u tërhequr mund të merret në ditët në vijim, duke shtuar se do të varet nga Shtabi i Përgjithshëm për të marrë një vendim të tillë.
Ai shtoi se morali midis njësive të vijës së parë ishte i lartë.
Berezovets tha se njësitë e shohin misionin e tyre si të qëndrojnë për aq kohë sa të jetë e mundur dhe të vrasin sa më shumë luftëtarë të Wagner.
Luftëtarët Wagner, të cilët janë pjesë e një grupi mercenar dhe jo të forcave të armatosura të rregullta ruse, kanë qenë të spikatur në sulmin tokësor kundër Soledar.
Ai tha se shumica e luftimeve gjatë dy javëve të fundit kishin përfshirë luftime në rrugë në Soledar midis njësive të vogla prej katër deri në tetë luftëtarë.
Tërheqja nga Soledar nuk do të ndikonte në aftësinë e forcave ukrainase për të rifurnizuar Bakhmutin, i cili është disa kilometra në jugperëndim, beson Berezovets, duke shtuar se dy rrugët kryesore për në Bakhmut mbetën në duart e Ukrainës.