Zjarret pyjore janë afruar pranë një termocentrali në jugperëndim të Turqisë të premten, thanë zyrtarët lokalë.
Ky njoftim vjen një ditë pasi zjarrfikësit arritën të vinin nën kontroll zjarret pranë një termocentrali tjetër, teksa beteja e autoriteteve turke me zjarret ka hyrë në ditën e dhjetë.
Dhjetëra-mijëra hektarë pyje janë shkatërruar në provincat në Mesdhe dhe Egje dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se këto janë zjarret më të tmerrshme që Turqia ka përjetuar ndonjëherë. Tetë persona kanë vdekur dhe mijëra turq dhe turistë janë evakuuar.
Një vatër zjarri në provincën Mugla, ku gjenden resortet turistike të Bodrumit dhe Marmarisit, është lokalizuar. Por, zjarret janë aktive rreth pesë kilometra larg termocentralit me qymyr të Yenikoy, thanë zyrtarët të Agjencisë së pyjeve.
Autoritetet kanë ndërmarrë masa shtesë përreth këtij termocentrali, për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Erërat e fuqishme, lagështia e ulët e ajrit dhe temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë kontribuar në përhapjen e zjarrit, që kanë goditur rëndë edhe shtetin fqinj, Greqinë.
Sipas autoriteteve turke, deri më tani, 196 vatra të zjarrit janë vënë nën kontroll, ndërkaq 12 të tjera janë ende aktive.
Mugla është rajoni i goditur më së keqi nga zjarret. Sipas autoriteteve lokale atje, 55 mijë hektarë tokë janë djegur dhe 36 mijë persona janë evakuuar.
Autoritetet turke janë kritikuar se kanë dështuar që të përgatiten për zjarret dhe për buxhetin e ulët të ndarë për këtë vit për të parandaluar zjarret pyjore.