Përderisa autoritetet turke në Kosovë shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” e kishin kundërshtuar nën hije, në Bosnjë-Hercegovinë kanë dalë haptas kundër saj. Ambasada e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë i është adresuar me notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti. Dokumentin që mban datën 10 prill, e ka cilësuar si “tepër urgjent” dhe nëpërmjet tij kërkon anulimin e shfaqjes së Kosovës të paraparë të jepet në Sarajevë, pasi sipas Ambasadës, ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”.
Turqisë i ka dalë punë me shfaqjen e Kosovës edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Për autoritetet turke, “Të gjashtët kundër Turqisë” – e cila është paraparë të shfaqet në Sarajevë në fillim të javës se ardhshme – është e papranueshme. Deri tash, këtë produksion teatror në Kosovë Turqia e kishte kundërshtuar nën hije, e tash ka dalë haptas kundër saj.
Ambasada e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë i është adresuar me notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti. Dokumentin që mban datën 10 prill, e ka cilësuar si “tepër urgjent”.
Në notë shpreh “kundërshtimin e ashpër” për këtë shfaqje duke konstatuar se ajo, siç shkruan Ambasada e Turqisë, paraqet “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”. Aty shkruhet se fotografitë në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Sarajevës ku prezantohet shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, shfaqen portretet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe udhëheqësit të FETO-s, Fetullah Gülen. Këtë e Ambasada e sheh si shenjë të qartë të lidhjes së shfaqjes me këtë organizatë.
“Ambasada dëshiron të theksojë se në ditën e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve, kjo propagandë është e papranueshme”, shkruhet në notë diplomatike.
“Të gjashtët kundër Turqisë” kishte çuar pluhur qysh me premierë, në Prishtinë në tetorin e vitit të kaluar. Autoritetet turke kishin bërë presion, por nuk ia kishin dalë ta ndalojnë. Por kanë arritur ta bëjnë këtë dy herë në Prizren. Herën e fundit, muajin e kaluar.
Shfaqja produksion i “Qendrës Multimedia” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg. Të gjashtët, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut në ekzil Fetullah Gülen, i cili vdiq vitin e kaluar.
Për rastin e Sarajevës, “Qendra Multimedia” e Kosovës dhe “Gerçek Tiyatrosu” në komunikatë për media kanë shkruar se janë të befasuar nga njoftimi për notën zyrtare diplomatike të lëshuar nga Ambasada e Turqisë në Bosnje e Hercegovinë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.
“Ky reagim vetëm sa i jep edhe më shumë kuptim shfaqjes sonë, duke e bërë relevante edhe jetën e saj përtej-skenës. Reagime si këto, dëshmojnë se kemi prekur një nerv të rëndësishëm politik e shoqëror”, shkruhet në komunikatën e përbashkët. Është rikujtuar edhe presioni i vazhdueshëm i autoriteteve turke edhe në Kosovë.
“Presion i ngjashëm, sado që ‘nga hijet’ është ushtruar edhe nga Ambasada e Turqisë në Kosovë. Por, në Prishtinë autoritetet qendrore i kanë rezistuar këtij presioni. Madje Ministria e Kulturës edhe publikisht e ka mbështetur shfaqjen dhe ekipin e saj. Në anën tjetër, Komuna e Prizrenit dy herë e ka pamundësuar prezantimin e shfaqjes në Prizren”, shkruhet në komunikatë.
Dramaturgu Jeton Neziraj, në një deklaratë për KOHËN, ka thënë se rasti i fundit është mendësi diktati.
“Nëse deri më tani teatri e ka “imituar” realitetin, tani, në kohët në të cilat po jetojmë, është bërë pothuajse e zakonshme që realiteti ta imitojë teatrin. Kjo mendësi ‘diktati’, që përpiqet të instalohet përmes ‘kancelarive diplomatike’ është padyshim e papranueshme”, ka thënë Neziraj. Ka theksuar se liria artistike është e shenjtë, e panegociueshme.
“Të gjashtët kundër Turqisë” sipas Nezirajt, është një parabolë politike.
“Ajo flet për Turqinë e Kosovën, por matricat e ngjashme të ringjalljes së autoritarizmit që sot fatkeqësisht i gjejmë edhe në shumë vende të tjera, në Amerikë, në Hungari, në Sllovaki, Serbi e gjithandej”, ka thënë Neziraj.
Shfaqja e shtron pyetje relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve. Paralajmërimi për këtë premierë në vjeshtën e vitit të kaluar kishte nxitur reagime edhe në mediat turke. Publikisht një gjë e tillë ishte bërë nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi. Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike, kishte shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. Në këtë shkrim ai kishte bërë një bilanc të ndihmave që, sipas tij, Turqia ia ka bërë Kosovës. E më pas kishte nisur të tregojë se shfaqja nuk përmend heronjtë e veteranët e grushtit të shtetit dhe se Fetullah Gülen nuk përshkruhet si terrorist, por si klerik në ekzil. Madje autori publikisht kishte kërkuar edhe llogari nga Ministria e Kulturës në Kosovë.
“Ministria e Kulturës e Kosovës nuk mund të izolohet duke thënë se ka përkrahur qendrën ‘Multimedia’ dhe jo këtë shfaqje. Pritja jonë nga Ministria e Kulturës e Kosovës është që të njoftojnë se mbështetja që i është dhënë qendrës ‘Multimedia’ do të tërhiqet nëse vihet në skenë kjo shfaqje, e cila do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, kishte shkruar Demir, duke kërkuar që autoritetet e Kosovës të mos përpiqen të fshihen pas “perdes së ‘demokracisë’ ose ‘lirisë së mendimit’”.
“Së fundmi: Ambasada jonë në Kosovë është e interesuar nga afër për këtë çështje. Ajo jep informacionin dhe paralajmërimet e nevojshme me përpikëri”, kishte shkruar Demir.
Ambasada e Turqisë kishte tentuar që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës të mos lejonte të jepej shfaqja. Vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, publikisht ishte solidarizuar me dramaturgun Jeton Neziraj për shkak të sfidimit për këtë çështje. Në fillim të këtij muaji KOHA, kishte raportuar për anulimin e dyfishtë të shfaqjes në Prizren dhe heshtjen tremujore të kryetarit të kësaj komune, Shaqir Totaj, i cili akuzohej direkt nga produksioni si urdhërdhënës për anulimin e shfaqjes. Nëpërmjet një përgjigjeje të nënshkruar nga Komuna e Prizrenit, aty shkruhej se “Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar apo anuluar shfaqjen teatrore të përmendur” dhe se “kryetari i Komunës së Prizrenit respekton dhe mbron lirinë artistike si një vlerë thelbësore e një shoqërie demokratike”. Dramaturgu Jeton Neziraj kishte thënë se këto janë të pavërteta, e dëshmi ka anulimin e dy shfaqjeve. “Ai po sillet si një politikan hipokrit, që nga prapaskena vepron si censurues, e në publik mban tjetër pozicion, duke u prezantuar si liberal që mbron lirinë artistike”, kishte thënë ai. Shfaqja do të jepej në Prizren në fillim të marsit. Por sipas produksionit, ishte Komuna ajo që ka ndërhyrë që të mos jetë në repertor. E paraprakisht në dhjetor ishte anuluar për “arsye teknike”, pas reagimeve e letrave për kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, që shfaqja të anulohej.