U arrestua dhe u rrah, Policia e konfirmon se e ngatërroi burrin nga Mitrovica

U arrestua dhe u rrah, Policia e konfirmon se e ngatërroi burrin nga Mitrovica

Policia e ka konfirmuar rastin e Nazim Hasanit nga Vinarci i Epërm i Mitrovicës, i cili tha se u ngatërrua me një person tjetër për vjedhje, dhe për këtë shkak u rrah nga dy policë civilë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.

“Lidhur me ankuesin Hasani, ju njoftoj se policia ka shoqëruar të njëjtin në stacion në Zubin Potok gjatë zbatimit të veprimeve lidhur me vjedhjen në kishën e fshatit Zupqe. Personi i shoqëruar ka dhënë deklaratën e tij dhe më pas është liruar pasi është vërtetuar nga policia se i njëjti nuk i përgjigjet përshkrimit të të dyshuarit. I njëjti ka nënshkruar deklaratën e tij pa vërejtje ndaj policisë”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë, Nazim Hasani, tha se gjatë së martës është marrë dhunshëm nga dy policë civilë, njëri serb e tjetri boshnjak, dhe është torturuar deri në fshatin Zubq.

Sipas tij, aty e kanë dorëzuar te një patrullë policore, e cila e ka prangosur dhe e ka dërguar në stacionin e Zubin Potokut. Sipas 48-vjeçarit, tek aty është kuptuar se bëhet fjalë për ngatërrim me një të dyshuar për vjedhje. /Gazeta Enigma/.

Related Articles