Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka njoftuar se ka kryer inspektime të 59 bizneseve në Prishtinë lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, përmes sistemit të vëzhgimit me kamera.
AIP ka konstatuar se shumica e kontrolluesve kanë aplikuar vëzhgimin me kamera në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke mos plotësuar kriteret e parapara me ligj.
“Në të gjitha rastet ku është gjetur se kontrolluesi ka instaluar sistemin e vëzhgimit me kamerë në kundërshtim me dispozitat ligjore, AIP ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamerë dhe shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes këtij sistemi, deri në datën e pranimit të vendimit. Vëzhgimi me kamerë mund të fillojë pas plotësimit të kritereve sipas dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në çdo rast, kur të njëjta biznese instalojnë sistemin e vëzhgimit me kamerë, pa plotësimin e kritereve ligjore, ndaj tyre do të ndërmerren masat sanksionuese, respektivisht do të shqiptohet gjobë. Me këtë rast, AIP u bën thirrje të gjithë kontrolluesve (publikë dhe privatë) të cilët aplikojnë vëzhgimin me kamera, këtë ta bëjnë sipas kritereve të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, raporton AIP.