Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli ka folur këtë të Enjte në një intervistë për Blendi Fevziun në “Opinion” edhe për jetën e tij personale.
Thuajse e pabesueshme, por ai thotë se ka një herë të dytë që i ka shpëtuar vdekjes.
Një aksident në vitin 1980 me makinë i shkaktoi plagë të rënda, aq sa mjekët në spitalin ku e dërguan e konsideruan të vdekur. Por, ishte një bllok ku Pacolli kishte shënuar numrat e tij të kontaktit ai që bëri “mrekullinë”.
-Në këtë kohë kur ju kishit filluar të punonit në biznes në Zvicër, pësoni një aksident shumë të rëndë.
Behgjet Pacolli: Në vitin 1980 në Ljubjanë, ishte koha kur Tito ndodhej në të njëjtin spital dhe po kalonte ditët e fundit të jetës. U përplasa para Ljubjanës dhe kam qenë pa vetëdije 28 ditë.
-28 ditë pa vetëdije?! Po pastaj keni qëndruar i veshur për një kohë të gjatë?
Behgjet Pacolli: Unë kam qenë i paralizuar për arsye se dhe fotografitë sot e tregojnë që kam një konstruksion, këto vrimat këtu janë… Kam mbajt një konstruksion metalik për me mbajt…
-Qafa të mbante peshën e kokës? Është e vërtetë që në momentin e parë të aksidentit menduan që kishit vdekur?
Behgjet Pacolli: Mua më kanë menduar për të vdekur, dhe njeriu që më ka tërhequr prej asaj kapeles ku i mbajmë të vdekurit, një mjek që ishte kryesori i spitalit të cilin drejtori i spitalit vjen vetëm 17 minuta pas momentit që jam dërguar në morg. Vjen e thotë ku është ky pacient? Kur më heqin xhaketën e gjakosur, më bie blloku i numrave të telefonit. Ajo vajza e hap bllokun dhe i bien sytë te Mahmut Bakalli.
-I cili ishte anëtar i Byrosë politike të Jugosllavisë…
Behgjet Pacolli: I njohur. Ajo e merr në telefon Bakallin dhe është shumë interesant që thirr pikërisht këtë numër, se aty kanë qenë disa numra. E thërret numrin e shtëpisë, aty lajmërohet drejtpërdrejtë Mahmuti dhe ai thotë si është e mundur. Ajo i thotë që Behgjeti është këtu dhe është në gjendje të vështirë. Bakalli thërret homologun e tij, ai drejtorin e spitalit dhe ky i fundit doktorin e zemrës. Ky vjen aty dhe në momentin e parë që ma heqin çarçafin e bardhë dhe kam filluar të derdh gjak nga goja. Ai e bën një bypass në mënyrën më primitive, me një pompë e pret venën dhe bën të mundur që gjaku të shkojë në tru. Për arsye se zemra dhe organet e tjera këtej kanë qenë të bllokuara. Aty fillon çdo gjë të funksionojë mirë, po ata nuk e dinin se unë isha i paralizuar. Pas 4 muajve ata e kuptuan se unë nuk mund të lëvizja dhe më vunë atë konstruksionin.