Ish-deputeti i Shkodrës, Pashko Ujka, mbrëmjen e 29 nëntorit ka gjetur vdekjen, pasi u qëllua me armë zjarri afër banesës së tij, në rrethana ende të paqarta.
Pas plagëve të marra, ai u dërgua në spital, ku dhe ndërroi jetë.
Familjarët e tij, gjatë kohës që ishte në Spitalin e Shkodrës, bënë thirrje për ndihmë, duke ftuar të gjithë personat që kanë grupin e gjakut “A negativ” të dhurojnë gjak.
Por kjo nuk mjaftoi, pasi ai nuk mundi t’i rezistojë plagës së marrë në shtyllën kurrizore.
Në vendngjarje janë ende shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.
Ujka, ka ushtruar detyrën si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015, si anëtar i Partisë Socialiste.
Më herët, ai ka qenë edhe deputet i Shkodrës me partinë Demo-Kristiane (PDK).
Gjatë viteve që ai ka shërbyer si kryetar komune ka qenë pre e një tjetër atentati.
Disa persona të armatosur, në atë kohë, kanë qëlluar në drejtim të banesës së tij./Gazeta Enigma/