U rrah brutalisht nga forcat e sigurisë, vdes 16-vjeçarja iraniane

U rrah brutalisht nga forcat e sigurisë, vdes 16-vjeçarja iraniane

Një vajzë 16-vjeçare nga qytetit veriperëndimor iranian i Ardabilit ka vdekur pas plagëve të marra.

Mediat e huaja, bëjnë me dije se ajo ka humbur jetën pasi ishte rrahur nga policia pasi kishte refuzuar që të këndonte himnin pro-regjimit, kur shkolla e saj u bastis nga agjentët e sigurisë.

Këshilli Koordinues i Sindikatave të Mësuesve të Iranit konfirmoi se Asra Panahi ka vdekur pas bastisjes së forcave të sigurisë në shkollën e mesme të vajzave në Ardabil më 13 tetor.

Sipas këshillit, autoritetet në qytetin Ardabil i morën nxënëset nga shkolla e mesme Shahed dhe i dërguan në një protestë pro-qeveritare, duke kërkuar nga ato që të këndonin himnin dhe të lavdëronin liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, njofton euronews.

Pasi nxënëset refuzuan, forcat e sigurisë i sulmuan dhe i rrahën shumë prej tyre. Dhjetë u morën nga forcat e sigurisë dhe u dërguan në një vend të panjohur, ndërkaq shtatë u plagosën.

Zyrtarët iranianë kanë mohuar se forcat qeveritare të sigurisë kanë rrahur nxënëset.

Irani është përballur me trazira që paraqesin sfidën më të madhe ndaj regjimit islamik që nga revolucioni i vitit 1979 që nga 16 shtatori, pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe.

Related Articles