Pavarësisht se ministri i MBPZHR, Faton Peci, e shkarkoi nga detyra e këshilltarit politik, Enis Osmanin, ai vazhdon të figurojë në listën e pagave të këtij institucioni.
Lajmin se Enis Osmani nuk do të jetë më pjesë e kabinetit të tij e kishte dhënë para dy muajve.
Vendimin për shkarkim të këshilltarit të tij politik, ministri Faton Peci e kishte marrë pasi Gjykata e Mitrovicës e shpalli fajtor Osmanin për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.
Madje, vetë Osmani, para trupit gjykues e kishte pranuar fajësinë, duke u dënuar edhe me 1 e 500 euro gjobë.
Pas gjithë këtyre veprimeve, në një dokument që e ka siguruar T7, shihet se Osmani ende figuron në listën e pagave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pavarësisht se i njëjti ishte larguar nga puna në muajin shkurt.
Siç shihet në dokument, ai në muajin mars ka marrë pagë në vlerë mbi 800 euro.
Për këtë, televizioni ka kontaktuar më shumë se një herë Osmanin, duke provuar të marrë një sqarim për këtë çështje, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Po kaq të paqasshëm janë treguar edhe nga kabineti i ministrit Faton Peci.
Ndërkohë, sipas ligjit të punës, saktësohet se punëdhënësi është i obliguar të bëjë pagesën e pagës dhe të ardhurave të tjera, deri në ditën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.