U tha se është autorja e “non-paper-it”, diplomatja e mohon një gjë të tillë

U tha se është autorja e “non-paper-it”, diplomatja e mohon një gjë të tillë

Mediat serbe raportuan se autorja e dokumentit të ashtuquajtur ‘non-paper’ është Drejtorja Menaxhuese për Europë dhe Azi Qendrore brenda shërbimit diplomatik dhe ministrisë së kombinuar të jashtme dhe të mbrojtjes në Bashkimin Evropian, Angelina Eichhorst.

Mirëpo, Eichhorst e ka mohur një gjë të tillë, duke thënë se kjo është një marrëzi.

“Publikimi natyrisht është marrëzi absolute. Delegacioni ynë në Serbi tashmë lëshoi ​​një mohim të fortë dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli gjithashtu për këtë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Kurti sot dhe e refuzoi atë vendosmërisht”, thuhet në përgjigjen e Eichhors për Albanian Post.

Në këtë përgjigje me shkrim janë dërguar edhe citate të konferencës për media të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këto dokumente janë fantome.

”Për mua këto  dokumente janë fantome, nuk janë të besueshme dhe kam shprehur shqetësimin se këto komente dhe lajme të rrejshme janë duke qarkulluar dhe ne nuk jemi duke bërë asgjë me to”, tha Borell.

Po ashtu Borell ka kërkuar nga mediat siç ka thënë ai të mos shpërndajë lajme të rreme që krijojnë telashe, që krijojnë një mjedis toksik.

“Le të shohim problemet reale, duke hedhur letra në tryezë – në tryezën e dialogut, për shembull – në mënyrë që të jemi konstruktivë për gjëra serioze si këto”, ka thënë Borrell.

Por, ishte vetë Vuçiç, që kur u deklaruar për dokumentin, thoshte, me këmbëngulje, se atë e ka shkruar një grua “shumë e zgjuar, dinake, dhe e me shumë njohuri për çështjet e Ballkanit”.

“Vetëm dikush që ka marr pjesë në takimet për Kosovën që nga fillimi dhe i cili kishte njohur fantastike për dialogun, mund ta shkruante atë me dinakëri”, tha Vuçiq.

Siç dihet, Angelina Eichhorst, është përfshirë në dialogun e Brukselit për shtatë vjet, veçanërisht gjatë mandatit të shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës thonë se janë në një linjë me Gjermaninë edhe Francën sa i përket publikimit të një “non paper” të ri në media të hënën që flet për përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe ambasada gjermane dhe ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe duke u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Related Articles