Udhëheqësit e Listës Serbe kanë zhvilluar një takim në Rashkë të Serbisë me Petar Petkoviqin, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, një ditë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar këtë parti për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një postim në X, Petkoviq ka thënë se gjatë takimit me liderët e partisë më të madhe serbe në Kosovë janë diskutuar çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë për komunitetin serb.
“Takim në Rashkë me liderët e Listës Serbe pas tentimit të Kurtit për t’i ndaluar nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale. Kemi diskutuar për situatën politike, të sigurisë dhe ekonomike në komunitetet serbe dhe për hapat e mëtejmë dhe mbështetjen për interesat e popullit serb në Kosovë”, ka shkruar ai.
Vendimi i KQZ-së për të mos certifikuar Listën Serbe u mor me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se disa kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. Të premten, partia njoftoi se do të parashtrojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ky vendim ka shkaktuar reagime ndërkombëtare. Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim, duke e cilësuar pengimin e partive të komuniteteve pakicë nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale si një minim të parimeve të demokracisë.
“Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagim.
QUINT ka theksuar se pret që Qeveria në largim dhe partitë tjera të përmbahen nga hapat e mëtejmë që pengojnë regjistrimin e partive, si dhe u ka bërë thirrje partive të prekura nga vendimet që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.