Shtëpia Evropiane e futbollit, UEFA ka njoftuar se pas takimit emergjent të Komitetit Ekzekutiv ka marrë vendim për ta zhvendosur finalen e Ligës së Kampionëve nga Shën Petersburgu. Në njoftimin e UEFA-s, thuhet se finalja e këtij edicioni në Champions, do të luhet në stadiumin “Stade de France” më 28 maj prej orës 21:00.
Ky vendim i UEFA-s, ka ardhur një ditë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Po ashtu, UEFA ka bërë të ditur se ekipet nga Rusia dhe Ukraina deri në një vendim tjetër, ndeshjet si vendas do t’i luajnë në një vend neutral.
“UEFA dëshiron të shprehë falënderimet dhe vlerësimin e saj për presidentin e Republikës Franceze, Emmanuel Macron për mbështetjen dhe angazhimin e tij personal që loja më prestigjioze e futbollit evropian për klube të zhvendoset në Francë në një kohë krize të pashembullt. Së bashku me qeverinë franceze, UEFA do të mbështesë plotësisht përpjekjet e shumë palëve për të garantuar sigurimin e shpëtimit të lojtarëve të futbollit dhe familjet e tyre në Ukrainë, të cilët përballen me vuajtje të tmerrshme njerëzore, shkatërrime dhe zhvendosje”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
“Në mbledhjen e sotme, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi gjithashtu që klubeve dhe kombëtareve ruse dhe ukrainase që garojnë në garat e UEFA-s do t’u kërkohet që ndeshjet si vendas t’i luajnë në vende neutrale deri në njoftimin e dytë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi më tej të qëndrojë në gatishmëri për të thirrur mbledhje të mëtejshme të jashtëzakonshme, në baza të rregullta të vazhdueshme aty ku kërkohet, për të rivlerësuar situatën ligjore dhe faktike ndërsa zhvillohet dhe për të miratuar vendime të mëtejshme sipas nevojës”./GazetaEnimga/