Përfaqësuesi i UNICEF-it në Nigeri, Hawkins tha se COVID-19 përbën një kërcënim të rëndësishëm për progresin e bërë në qasjen e vendit në arsim dhe shërbime shëndetësore në 10 vitet e fundit.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) bëri të ditur se pandemia e koronavirusit (COVID-19) përbën një kërcënim për arsimimin e fëmijëve në Nigeri.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Nigeri, Peter Hawkins me rastin e Ditës së Fëmijëve deklaroi se COVID-19 përbën një kërcënim të rëndësishëm për progresin e bërë në qasjen e vendit në arsim dhe shërbime shëndetësore cilësore në 10 vitet e fundit.
Duke treguar se COVID-19 po shkakton probleme të ndryshme në vend, Hawkins tha se varfëria dhe pabarazia gjithashtu po rriten.
“Pandemia e COVID-19 shpesh ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në sigurimin e shërbimeve themelore në fushat e shëndetit, arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve”, tha Hawkins.
Ai theksoi se viti i kaluar ishte veçanërisht i vështirë për fëmijët në Nigeri dhe në të gjithë botën, duke shtuar se sa më shumë të zgjasë pandemia globale, aq më i fortë do të ndihet ndikimi tek fëmijët dhe gratë.