Vjedhja e dy milionë eurove, vazhdohet paraburgimi për të dyshuarit

Vjedhja e dy milionë eurove, vazhdohet paraburgimi për të dyshuarit

Gjykata e Prishtinës, ka marrë vendim duke ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, dy të dyshuarve, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.



Vendimi i Gjykatës konfirmon vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj për dy të dyshuarit.

Në dosjen e siguruar, zyrtari i Ministrisë së Financave Labinot Gruda kishte deklaruar se çështja e dy milionëve nuk kishte të bënte me të.

“Nuk pajtohem me kërkesën e prokurores së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, sepse e ndiej veten plotësisht të pafajshëm. Pretendimet për shumën prej 2 milionë euro, nuk kanë të bëjnë aspak me mua”, kishte deklaruar Gruda para Gjykatës.

Kurse i dyshuari tjetër Kadri Shala i cili ishte vetë dorëzuar në Polici, para Gjykatës ka deklaruar se mjetet të cilat i ishin transferuar në xhirollogarinë e tij kishte menduar që ishin transferuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të destinuara për një projekt të cilin e kishte në plan ta realizonte.

Shala ka deklaruar se paratë i ka harxhuar pasi që me to i ka paguar borxhet lidhur me projektin që e kishte në plan ta realizonte

“…duke menduar se ato mjete janë të mijat i kam shfrytëzuar pa hezituar ndaj operatorëve-borxhlinjve që kam marrë materiale nga ta, për ndërtimin e atyre shtëpive dhe për to si dëshmi ekzistojnë të gjitha faturat tek ata operator të gjitha janë në harmoni me dispozitat ligjore”, ka thënë Shala.

Shala ka mohuar të ketë bashkëpunuar me zyrtarin e Ministrisë së Financave, Labinot Grudën, ndërsa ka premtuar që pas përfundimit të projektit, paratë do t’i kthej në arkën e shtetit.

“…me kryerjen e atyre punimeve ato mjete do t’i kthehen shtetit. Asnjëherë dhe asnjë çast apo minutë nuk kam të bëj diçka me një zyrtar të Thesarit siç pretendohet apo Ministrisë së Financave…”, ka shtuar më tej Kadri Shala.

Ndërsa pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, Gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi se të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje e me planifikim paraprak, duke e ditur se pasuria është përfituar përmes veprimeve inkriminuese të të pandehurit Labinot Gruda, duke keqpërdor detyrën zyrtare dhe autorizimet, kanë krijuar user të ndryshëm, që duken si të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe përmes të njëjtëve, në mënyrë të kundërligjshme e kanë transferuar nga Thesari i Republikës së Kosovës shumën prej 2,077,995.90 euro (dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent), në llogarinë bankare të subjektit juridik “LDA GROUP SHPK”, me pronar Valon Shala dhe person të autorizuar Kadri Shala.

Më pas Prokuroria pretendon se i pandehuri Kadri Shala paratë e lartcekura me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së tyre të vërtetë, të njëjtat i ka transferuar në llogari të ndryshme të personave fizik dhe juridik, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe shuma të caktuara i ka tërhequr në para të gatshme nga llogaria e lartcekur.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Labinot Gruda në bashkëkryerje me Kadri Shalën dyshohen të kenë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa Kadri Shala dyshohet se ka kryer veprën penale shpërlaje e parave lidhur me veprën penale të pastrimit të parave.

Lidhur me vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, Gjykata ka gjetur se nëse të pandehurit do të gjendeshin në liri, atëherë të njëjtit mund të ndikonin në dëshmitarë tjerë të mundshëm, të cilët deri në këtë fazë nuk janë dëgjuar sepse ndaj të pandehurve është duke u zhvilluar faza e hetimeve.

Në arsyet për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve Gjykata ka vlerësuar se rasti është mjaft kompleks andaj nëse në këtë fazë të pandehurit gjenden në liri pos ndikimit në dëshmitarë do të mund të  vinte edhe deri tek dëmtimi i hetimeve si edhe zhdukja e provave.

Gjatë marrjes së vendimit për paraburgim, Gjykata ka llogaritur edhe peshën e veprës penale, mënyrën si dhe rrethanat në të cilat pretendohet se është kryer vepra penale.

Labinot Gruda ishte arrestuar nga Policia në mbrëmjen e 20 tetorit ndërsa Kadri Shala ishte vetëdorëzuar në Polici më 26 tetor, ku më urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, ndërsa pas mbajtjes së seancës dëgjimore atij i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve./ kallxo/

Related Articles