Këshilli Shtetëror i Cilësisë ende nuk ka përfunduar procesin e akreditimit të universiteteve publike dhe kolegjeve private. E një gjë të tillë po synon që ta përfundojë deri në fund të këtij muaji. Kjo vonesë po arsyetohet me faktin që Këshilli është kompletuar vetëm një muaj më herët dhe se për shqyrtim janë një numër i madh i aplikacioneve.
Përfundimi i procesit të akreditimit, përmbushja e kritereve për kthim të Kosovës në ENQA e EQAR, janë vetëm dy prej synimeve që kanë anëtarët ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se do të bëjnë përpjekje që i gjithë procesi i vlerësimit të aplikacioneve për akreditim të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Ajo bënë të ditur se në mbledhjen e parë që kanë mbajtur kanë trajtuar disa aplikacione, por që thotë se është jo reale që të pritet që për një kohë shumë të shkurtër të përfundojnë 239 aplikacione.
“Ne kemi mbajtur mbledhjen e parë dhe në mbledhjen e parë kemi arritur me marrë vendime për disa, një pjesë me thënë të aplikacioneve, prioritet kemi pasur institucionet në rend të parë, në kuptimin e akreditimit institucional dhe tani kanë mbetur programet e veçanta të cilat duhet të akreditohen. Pse ka ndodhur vonesë, prapë unë po them që nuk është vërtetë shumë reale të pritet që për një muaj ne mundemi të trajtojmë të gjitha ato dokumente se kanë qenë realisht 239 aplikacione në pritje, llogariteni që secili aplikacion i ka 100 faqe. Do të thotë është e pamundur të kalohet nëpër to brenda një periudhe aq të shkurtër… Shpresojmë dhe bëjmë përpjekje që të gjitha programet të kalojnë nëpër këtë proces të vlerësimit dhe të kemi vendime deri në fund të korrikut”, thotë ajo.
Duke qenë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë përbëhet edhe prej anëtarëve ndërkombëtarë, e që pa qenë prezent njëri prej tyre nuk mund të merren vendime, Ilazi shpreh besimin se gjatë këtij muaji do të arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen e një prej anëtarëve ndërkombëtar për të përmbyllur këtë proces.
Kryetarja e KShC-së nuk ka dashur të përmend emrat e institucioneve apo programeve për të cilat kanë përfunduar shqyrtimin, nën arsyetimin se për to janë duke përgatitur vendimet dhe të njëjtat do të publikohen më pastaj.