Mbi një milion shtëpi dhe biznese në New Orleans të hënën mbetën pa rrymë. Banorët dhe autoritetet kanë nisur që t’i vlerësojnë dëmet e mëdha që shkaktoi stuhia me erë me shpejtësi prej 240 kilometrash në orë.
Deri më tani janë raportuar së paku dy viktima, një vozitës dhe një person tjetër, që u godit nga një dru që u rrëzua. Guvernatori John Bel Edwards dhe Presidenti, Joe Biden kanë thënë se presin që shifra e të vdekurve të rritet.
Ekipet emergjente po zhvillojnë operacione të kërkim-shpëtimit, duke kërkuar njerëz të ngujuar në tavanet apo kulmet e shtëpive të vërshuara. Gati 5.000 trupa të Gardës Kombëtare janë angazhuar dhe pritet që kjo shifër të dyfishohet.
Banorët po përballen me shkatërrime të mëdha të stuhisë së kategorisë së katërt, e cila arriti në sipërfaqe tokësore të dielën në Port Fourchon, shkruan The Guardian.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili të dielën nënshkroi një deklaratë të fatkeqësisë, premtoi burime qeveritare për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve rajonale në operacionet e kërkim-shpëtimit.