Murati bën bilancin e punëve të qeverisë në 3 vjet mandat

Murati bën bilancin e punëve të qeverisë në 3 vjet mandat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se qeveria Kurti është ballafaquar me shumë sfida gjatë 3 vjetëve mandat.

Në këto tre vjet qeverisje, ai tha se qeveria është ballafaquar me situata të pazakonshme, duke përmendur pandeminë dhe luftën mes Rusisë e Ukrainës, si dhe rritjen e normave të interesit në Evropë si pasojë e inflacionit.

Ai tha se këto janë sfida që kanë arritur të jenë sfida goxha të rënda edhe për shtete shumë të fuqishme.

Bruto prodhimi vendor, tha ai, “kur e kemi marr qeverisjen, ka qenë 6.7 miliardë euro, e tash GDP ka arritur në 9.6 miliardë euro”.

“Kemi gati 3 miliardë euro shtim të GDP. Në qeverisjet e kaluara është dashur tri vite për t’ia shtuar ekonomisë 1 miliard euro, kurse ne kemi arritur të shtojmë gati 1 miliard çdo vit”, tha Murati.

Murati tha se edhe qarkullimi i bizneseve ka shkuar në mbi 60% më shumë se në vitin 2019.

“As që bëhet fjalë për rënie të suksesit të bizneseve tona. Mund të ketë në disa sektorë, por në përgjithësi ka rritje”, tha ai.

“Nëse marrim kohën kur kemi marrë mandatin, që kanë qenë rreth 350 mijë të punësuar, në fund të vitit 2023 janë 420 mijë të punësuar. Rreth 70 mijë i janë shtuar tregut të punës”, tha Murati.

Ai tha se ka pasur edhe rritje të pagave, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

E gjithë kjo performancë e ekonomisë, sipas tij, ka ndikuar edhe në rritjen e buxhetit të vendit.

Për sa i përket deficitit buxhetor, ministri tha se në fund të vitit 2019, ai ka qenë minus 512 milionë euro.

“Vitin 2022 ka qenë minus 42 milionë euro, kurse në fund të vitit 2023 ka qenë minus 20 milionë euro”, tha ai, duke thënë se “gati i jemi afruar zeros së deficitit buxhetor”.

Related Articles