Ushtroi dhunë ndaj motrës dhe sulmoi Policinë, kapet pas disa ditësh 20-vjeçari i dyshuar në Pejë

Ushtroi dhunë ndaj motrës dhe sulmoi Policinë, kapet pas disa ditësh 20-vjeçari i dyshuar në Pejë

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku vajzat e gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Gazeta Sinjali raportoi për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në rrugën ‘Xhevdet Hoti’ në Pejë.

Një 20-vjeçar dyshohet se më 19 prill ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij të mitur dhe ka sulmuar zyrtarët policorë. I riu ka arritur të ikë, duke qëndruar në arrati deri më dje, kur Policia e ka arrestuar.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për A.R., i cili është denoncuar nga nëna e tij, e cila njoftoi Policinë se i biri përpos që ka rrahur motrën, ka demoluar elementet e kuzhinës dhe ka thyer televizorin.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, por që nuk kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin atë ditë, pasi është arratisur nga vendi i ngjarjes. Gjatë ikjes, i riu dyshohet se ka gjuajtur gurë në drejtim të zyrtarëve policorë.

Me urdhër të prokurorit, i riu ndodhet tashmë në ndalim policor dhe i njëjti do të hetohet për veprat penale ‘Dhunë në familje’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ‘Asgjësimi apo dëmtim i pasurisë’.

Related Articles