Zyra për media në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka sqaruar se vajza e Ramush Haradinajt, kryetarit të kësaj partie, sot i ka dorëzuar dokumentet për pranimin në një shkollë të mesme të Prishtinës dhe jo atë të Zvicrës, “Tasis”.
“Vajza e kryetarit dokumentet i ka dorëzuar në një shkollë në Prishtinë. Ajo do t’i vijojë mësimet në klasë të 10-të”, ka thënë Lulëzim Blaka për Klankosova, transmeton Gazeta Enigma.
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, sot me anë të një postimi në rrjetin social Facebook tregoi se e bija e tij ka filluar një etapë të re në shkollim.
“Sot nise një faqe të re në shkollimin dhe jetën tënde! Hana, fati të përcjelltë tërë jetën”, ka shkruar ai.
Klan Kosova më herët ka raportuar se e bija e çiftit Haradinaj, Hana, do të shkollohet në shkollën amerikane në Zvicër, “Tasis”, duke u bazuar në një fotografi që e ka publikuar bashkëshortja e Ramush Haradinajt, Anita.
Në këtë fotografi shihet se e bija e kryetarit të AAK-së kishte të veshur një bluzë me emblemën e kësaj shkolle, ku vlera për një vit shkollor – bazuar në uebfaqen zyrtare – arrin mbi 50 mijë franga.